FFK zyrtarizon klubet e licencuara për garat evropiane
Sport

FFK zyrtarizon klubet e licencuara për garat evropiane

Blerim Halimi / RTKlive

Federata e Futbollit e Kosovës ka zyrtarizuar sot klubet të cilat janë pajisur me licencë për pjesëmarrje në garat e UEFA-s për edicionin 2022/23.

“Komisioni i Shkallës së Parë për Licencimin e Klubeve për garat e UEFA-së pas shqyrtimit të dokumentacionit të klubeve aplikuese për licencim, në bazë të kritereve të plotësuara ka marrë vendim për licencimin e këtyre klubeve të Superligës së meshkujve, për garat e UEFA-s për edicionin 2022/23: KF Ballkani, FC Drita, SC Gjilani dhe KF Llapi. Ndërkaq nga Liga e Parë e femrave për licencë kanë aplikuar KFF Ep-Com dhe KFF Mitrovica. KFF Mitrovica është licencuar, kurse aplikimi i KFF Ep- Com është refuzuar nga Komisioni i Shkallës së Parë, ndërsa pas anksesës së këtij klubi, Komisioni i Shkallës së Dytë ka vendosur që edhe KFF Ep-Com të licencohet”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Ndërkaq, shtëpia e futbollit kosovar ka njoftuar se për shkak të mospërmbushjes së të gjitha kritereve të kërkuara, nga Superliga e meshkujve nuk janë licencuar FC Prishtina, KF Dukagjini, FC Malisheva dhe KF Drenica. Klubet e palicencuara kanë afat ankese sipas rregullores së UEFA-s për licencimin e klubeve për garat evropiane.

Megjithatë, pjesëmarrjen në Evropë sivjet e kanë siguruar pikërisht katër klubet e licencuara, Ballkani, Drita, Gjilani dhe Llapi.  

Ndërkaq, dje KFF Mitrovica ka reaguar ndaj vendimit të Shkallës së Dytë për licencim të KFF Ep-Com, pasi sipas klubit mitrovicas në këtë drejtim është bërë shkelje e rregulloreve dhe kësisoj iu ka pamundësuar këtij klubi që si nënkampion ta përfaqësojë Kosovën në Ligën e Kampionëve në konkurrencën e femrave.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa