Ministri finlandez, Havisto: Dialogu me Turqinë ‘një lloj purgatori`
Përktheu: Muharrem Miftari/RTKLive
Të mërkurën, ministri i Jashtëm i Finlandës, Peka Havisto (Pekka Haavisto) foli për zhvillimet e bisedimeve të Finlandës dhe të Suedisë me Turqinë, për anëtarësim në NATO.
Këtë javë nuk ka pasur kthesë në qëndrime, kundërshtia e Turqisë ende vazhdon, njofton HS.
Megjithatë, Havisto nuk beson se ky është një ngërç përfundimtar, por një "situatë nervoze".
“Këtu ka një lloj zjarri për të cilin ne nuk ishim të përgatitur në këtë formë. Le të mos kthehemi te kjo dhe të gjejmë zgjidhje për këtë”, tha Havisto në një konferencë për shtyp në Parlamentin finlandez.
Havisto u pyet nëse mund të ishte bërë ndonjë gjë tjetër me Turqinë gjatë pranverës. Ministri tha se ishte optimist pikërisht sepse Turqia nuk shprehu rezerva të mëdha në bisedimet paraprake.
Sipas Havistos, kundërshtia turke është ngritur vetëm pasi Finlanda dhe Suedia dërguan aplikimet e tyre.
Tutje, Havisto bëri të ditur se është rënë dakord me Turqinë që diskutimet të vazhdojnë. Megjithatë, oraret nuk dihen ende. Fundjavën e kaluar, zyrtarë nga Finlanda, Suedia dhe Turqia zhvilluan bisedime në Ankara, Turqi.
“Aktualisht synimi është të vazhdojmë në nivel zyrtar. Mund të themi që orari nuk varet nga ne”, tha Haavisto.
Havisto më tej theksoi se Finlanda aktualisht nuk është nën ndonjë kërcënim.























