GREQI–Zjarri në afërsi të Athinës dëmton banesa dhe automjete
ATSH
Një zjarr që shpërtheu në periferi të Athinës dëmtoi banesa dhe automjete, ndërsa erërat e forta nxitën flakët për disa orë.
Banorët në rajonin rreth periferisë bregdetare jugore të Voula, rreth 16 kilometra nga qendra e Athinës, si dhe shtëpitë e kujdesit për të moshuarit dhe fëmijët në zonë u evakuuan paraprakisht nga autoritetet, pasi zjarri dëmtoi të paktën dy shtëpi, automjete të parkuara, lëndina dhe dogji siperfaqe të pyjeve.
Mbi 130 zjarrfikës të ndihmuar nga 6 avionë zjarrfikës dhe 4 helikopterë u përpoqën të shuanin flakët, me erërat e forta që shkaktuan vështirësi.
Greqia është në gatishmëri këtë vit pasi vendi u përfshi nga disa zjarre në disa fronte vitin e kaluar që u ndezën për javë të tëra, duke djegur shtëpi dhe qindra mijëra hektarë pyje, pas valës më të keqe të të nxehtit në dekada.
Zyrtarët e Komisionit Evropian njoftuan të enjten se mbi 200 zjarrfikës dhe pajisje nga gjashtë vende të BE-së do të vendosen në Greqi këtë verë për të ofruar mbështetje të menjëhershme për parandalimin e zjarreve.
Greqia ka gjithashtu kujtime të hidhura të një zjarri të vitit 2018 që përfshiu qytetin bregdetar veri-lindor të Matit pranë Athinës, duke shkaktuar vdekjen e 102 banorëve brenda pak orësh.























