Bullgaria, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi ndalojnë fluturimin e Lavrovit
Muharrem Miftari/RTKlive
Sikundër u bë e ditur nga Ministria e Jashtme bullgare, nga Maqedonia e Veriut, si dhe të Malit të Zi, ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, nuk i është lejuar fluturimi përmes territorit të vendeve të lartcekura për në Serbi, siç ishte planifikuar vizita e tij në atë shtet.
Ministria e Jashtme e Bullgarisë sqaron se vendimi “bazohet në sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Rusisë, kryesisht në vendimin e Këshillit të BE-së të 31 korrikut 2014 dhe vendimin e 25 shkurtit, i cili e vendos Lavrovin në listën e 670 individëve dhe subjekteve të sanksionuara nga BE-ja.
Po kështu edhe Maqedonia e Veriut sqaroi se ndalimi i fluturimeve vlen për të gjitha linjat ajrore ruse.
Ndërkaq bëhet e ditur se BE, për shkak të invazionit rus në Ukrainë, u ndaloi aeroplanëve rusë të drejtën e fluturimeve.
Dhe pikërisht për shkak të këtij vendimi, ambasadori serb në Bjellorusi, Gjukiq, deklaroi se ishte iluzore të mendohej se do të lejohej vizita e Lavrovit në Serbi.























