Rama mesazh Lavrov: Ballkani për ty është i mbyllur
rtsh.al
Kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediat, ka dhënë një mesazh ndaj ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov duke deklaruar se Ballkani për të është i mbylllur pasi nuk ka marrë leje për të hyrë. Vizita e Lavrov në Serbi e programuar për t`u zhvilluar dy ditë më parë u anulua për shkak të mbylljes së hapësirave ajrore të tre shteteve, Bullgari, Maqedoni e Veriut dhe Mali i Zi.
"Të peshkohesh kaq kollaj nga sarkazma e një personazhi të mirënjohur botërisht për gjuhën sarkastike dhe manipulimi i kësaj sarkazme nga ata që i fryjnë zjarrit të dasisë dhe urrejtjes për interesa të politikës së ditës në katundet ballkanike është për të ardhur keq. Nëse zotëria do të ishte mbështetësi i Ballkanit të Hapur, Ballkani do të ishte minimalisht për të. Por Ballkani për të është i mbyllur dhe nuk ka marrë leje për të hyrë në Ballkan nga vendet e Ballkanit", tha Rama. Sa i përket faktit që Kosova nuk ka marrë pjesë në Samitin për Ballkanin e Hapur, Rama deklaroi se ftesa për ta është e hapur.
"Kosova është sovrane dhe i merr vendimet vetë për veten e vetë. Vendi për Kosovën , ftesa është gjithmonë e hapur, por respektoj plotësisht vendimine autoriteteve të Kosovës për të lënë vendin bosh. Vendi për ta në Ballkanin e Hapur është i hapur”, tha Rama.
Kreu i qeverisë iu përgjigj pyetjes së gazetarëve lidhur me akuzat kundrejt Bashkimit Evropian, duke thënë se është fakt që procesi i integrimit të Shqipërisë është zvarritur. Rama theksoi se së shpejti do të mbahet në Beograd një sesion i posaçëm për sigurinë ushqimore dhe verërat.
“Nuk akuzoj BE. Përkundrazi, jam një europian 100% i vendosur si me BE, si pa BE. Përsa kohë BE është projekti më i madh, më i bukur që mendja poltike ka krijuar, është dhe destinacioni im dhe i yni. Është fakt që BE na ka zvarritur, që jep fjalën dhe nuk e mban, lidhur me procesin tonë të integrimit. Ndaloni dhe njëherë dhe shikoni se aty ka një korsi të dedikuar “kanali i gjelbër” i “Ballkanit të Hapur”, ku kalojnë operatorët e autorizuar ekonomik dhe lehtësimi i lëvizjes është shumë i konsiderueshëm. Janë dy shifra shumë të rëndësishme, ajo në raport me eksportet bujqësore të Shqipërisë në zonën e Ballkanit të Hapur dhe shifra që solla për turistët drejt Shqipërisë. Këto janë përfitime të “Ballkanit të Hapur”.
Pjesëmarrja në këtë samit është shumë më e madhe, ashtu si dhe interesi, apo mbështetja. Ne jemi këtu për të finalizuar disa hapa të tjerë të rëndësishëm, që do të hedhim në vijim, në aspektin e sigurisë ushqimore. Do të kemi një sesion të posaçëm në Beograd, i cili do të shoqërohet edhe me një panair të madh të ushqimit dhe verërave të vendeve të Ballkanit të Hapur. Pastaj do të kemi një sesion të veçantë në Shqipëri, sepse Shqipëria është pika kyçe për të ardhmen e energjisë në rajon. Së shpejti kemi një tjetër firmosje të rëndësishme të furnizimit energjetik. Në Maqedoninë e Veriut kemi një sesion për konjektivitetin. Kemi rënë dakord të ngremë një grup të përbashkët për krizën, që vjen si pasojë e luftës, dhe zgjidhjet e përbashkëta, në mënyrë që të ndihmojmë njëri-tjetrin. Do të vijë momenti që nuk do jetë më problemi sa u rrit çmimi, por do jetë problemi ku ta gjejmë energjinë. Shqipëria i vetmi vend ku çmimi nuk është prekur asnjë centim dhe vazhdojmë ne në mënyrë të përmuajshme subvencionojmë çmimin. Duhet të ketë një arsye që me gjithë kumtet e kukuvajkave se bujqësia do falimentonte, bujqësia sot është sektori që po rritet në aspektin e prodhimit”, tha Rama.























