Biden viziton Gjermaninë dhe Spanjën në kuadër të samiteve të G7 dhe NATO-s
ATSH
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, do të vizitojë Evropën më 25-28 qershor në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Samitin e Liderëve të G7 në Gjermani dhe Samitin e NATO-s në Spanjë.
“Biden, më 25 qershor do të vizitojë Schloss Elmau, në jug të Gjermanisë ku do të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të G7”, njoftoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre në një deklaratë me shkrim.
Duke vënë në dukje se mbështetja e G7 për Ukrainën, qëndrueshmëria ekonomike dhe demokratike, ndryshimet klimatike, zhvillimi dhe siguria shëndetësore globale do të diskutohen në samit, Jean-Pierre tha se kriza e ushqimit dhe energjisë e shkaktuar nga lufta Rusi-Ukrainë do të jenë ndër temat më të rëndësishme.
“Më 28 qershor, Biden do të udhëtojë në kryeqytetin e Spanjës, Madrid për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s 2022”, thuhet në deklaratë.























