BRUKSEL–Komisioni Evropian godet dezinformimin në internet
ATSH-DPA
Komisioni Evropian ka prezantuar sot rregulloren e re për parandalimin e dezinformatave, që synon të kontrollojë përhapjen e lajmeve të rreme në internet, përmes një `Kodi të ri Sjelljeje`.
“Kodi i ri kundër dezinformimit vjen në një kohë kur Rusia po armatizon dezinformimin si pjesë e agresionit të saj ushtarak kundër Ukrainës, por edhe e sulmeve ndaj demokracisë më gjerësisht”, tha zëvendëspresidentja e Komisionit, Vera Jourova.
“Masat gjithashtu do t’u mundësojnë përdoruesve të raportojnë më lehtë dezinformimin dhe t’u japin atyre akses më të mirë në të dhëna. Gjithashtu duhet të ketë një fokus më të madh në kontrollin e fakteve, në të ardhmen”, sipas Brukselit.
Kodi i sjelljes që parashikon parandalimin e dezinformimit ka qenë në fuqi që nga viti 2018 dhe 34 aktorë të interesuar kanë nënshkruar versionin e rishikuar, duke përfshirë grupin “Facebook Meta”, “Google”, “Twitter”, “TikTok” dhe “Microsoft”. Platforma më të vogla dhe të specializuara dhe përfaqësues të shoqërisë civile gjithashtu kanë mbështetur masën.























