Macron humb shumicën absolute në Parlament, thonë sondazhet
Rajoni dhe Bota

Macron humb shumicën absolute në Parlament, thonë sondazhet

Presidenti francez Emmanuel Macron po shkon drejt humbjes së shumicës absolute në Asamblenë Kombëtare dhe kontrollit të axhendës së tij të reformave, pasi sondazhet e para nga katër anketues treguan se zgjedhjet e së dielës sollën një parlament të varur nga koalicionet.

Aleanca “Së bashku” e Macronit ka garuar me grupin NUPES të së majtës në rundin e parë të zgjedhjeve.

Në këtë proces zgjedhor është vërejtur rritje për koalicionin e krahut të majtë.

Nëse konfirmohet, një parlament i varur nga numrat do të hapte një periudhë pasigurie politike që do të kërkonte një shkallë të ndarjes së pushtetit midis partive që nuk kanë përjetuar në Francë në dekadat e fundit, ose përndryshe paralizë politike dhe ndoshta përsëritje të zgjedhjeve.

Rachida Dati, nga partia konservatore Les Republicains, i quajti rezultatet "një dështim të hidhur" për Macron dhe tha se ai duhet të emërojë një kryeministër të ri.

"Është arroganca e Emmanuel Macron, përbuzja e tij për francezët ... që e bëri atë president të pakicës", tha Jordan Bardella, nga partia e ekstremit të djathtë Rassemblement National e Marine Le Pen.

Në kampin e Macron, Gabriel Attal i tha TF1 TV se “askush nuk ka fituar", ndërsa zëdhënësja e qeverisë Olivia Gregoire tha se rezultatet ishin zhgënjyese, por shtoi se Alenaca e Macron mbetet prapë grupi më i madh në parlament.

Ish-kreu i Asamblesë Kombëtare, Richard Ferrand, humbi vendin në parlament, si dhe ministrja e Shëndetësisë Brigitte Bourguignon gjithashtu nuk u rizgjodh, në dyja humbje të mëdha për kampin e Macronit.

Në një tjetër ndryshim të madh për politikën franceze, partia e Le Pen mund të fitojë deri në 100 vende në parlament, thonë sondazhet fillestare, i vleresuar si rezultat record.

Nëse Macron dhe aleatët e tij humbasin një shumicë absolute me një diferencë të madhe, siç tregojnë sondazhet fillestare, ata ose mund të kërkojnë aleancë me Les Republicains ose të drejtojnë një qeveri të pakicës që do të duhet të negociojnë aprovimin e ligjeve me partitë e tjera.

Parlament me shumicë të thjeshtë

Në këtë skenar, nëse koalicioni i Macronit dështon të arrijë shifrën prej 289 deputetësh, sic tregojnë sondazhet fillestare, nuk do ta ketë shumicën e ulëseve në Parlament, pavarësisht se do të ishte partia më e madhe në organin legjislativ.

Nëse ndodh ky skenar, do të ishte shumë i pazakonshëm për Francën pasi nuk ka rregulla institucionale për të trasuar rrugën për ndërtimin e një koalicioni, siç është rasti në shtetet si Belgjika dhe Holanda.

Macronit ndoshta do t’i duhet të bëjë koalicion me parti të tjera, me gjasë me republikanët e qendrës së djathtë.

Një koalicion i tillë do të përfshinte dhënien e posteve qeveritare te rivalët e republikanëve dhe ndryshim të agjendës së Macronit, në këmbim të mbështetjes në Parlament.

Macron, po ashtu, do të mund të tentonte që të merrte mbështetjen e disa ligjvënësve duke iu ofruar përfitime për t’i inkurajuar që të shkëputen nga partitë e tyre.

Nëse do të dështonte të bindte ligjvënës, atëherë Macron do të detyrohej që të negocionte në Parlament çdo legjislacion, duke negociuar mbështetjen e qendrës së djathtë shembull për reformat e tij ekonomike, dhe në të njëjtën kohë të fitonte mbështetjen e qendrës së majtë për disa reforma sociale.

Një gjë e tillë do të ngadalësonte reformat dhe do të mund të çonte në një ngërç politik në shtetin ku ndërtimi i konsensusit dhe puna e koalicionit nuk është e rrënjosur në kulturën politike.

Por, presidenti Macron edhe në këtë skenar do të kishte disa mundësi. Për shembull, ai mundet që në çdo kohë të shpallë zgjedhje të parakohshme. Ose të përdorë nenin 49.3 të Kushtetutës që kërcënon me zgjedhje të reja nëse një projektligj nuk miratohet.

Sipas Kushtetutës së Francës, presidenti ka kontroll ekskluziv në politikën e jashtme dhe atë të mbrojtjes, mirëpo i duhet shumica në parlament për të miratuar legjislacionin e brendshëm.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa

MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota