Qendra Rajonale për Luftën ndaj Krimit Kibernetik vendoset në Podgoricë
RTCG
Kryeministri Dritan Abazoviq njoftoi se selia e Qendrës Rajonale për Luftën kundër Krimit Kibernetik dhe Sigurisë Kibernetike do të jetë në Podgoricë.
“E arritëm atë që filluam më 29 mars, ku së bashku me rektorin e Universitetit të Malit të Zi, i dorëzuam kërkesën ambasadorit të Francës në Podgoricë, Kristian Timonie”, theksoi Abazoviq.
Timonije, e njoftoi kryeministrin Abazoviq se për selinë e Qendrës Rajonale të përmendur është zgjedhur Podgorica, e cila do të jetë në Parkun Shkencës dhe Teknologjisë në Podgoricë.
"Ne kemi ndërtuar besimin e aleatëve më të mëdhenj dhe kjo dëshmon se Mali i Zi është me të vërtetë një lider në Ballkanin Perëndimor. Po bëjmë gjëra të mëdha për vendin tonë”, tha kryeministri.
Qendra rajonale do të mundësojë një luftë më efikase kundër krimit kibernetik, tha ministri i brendshëm Filip Axhiq, duke shtuar se është një mundësi për të forcuar kapacitetet kadrovike përmes edukimit nga ekspertët më të mirë në fushën e TI-së.
Bëhet fjalë për një projekt të Ministrisë Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila në shkurt të këtij viti inicoi projektin e krijimit të Qendrës Franceze për Ekspertizë të Sigurisë në Evropën Juglindore, me qëllim që Qendra të jetë përgjegjëse për vendet e Ballkanit Perëndimor.























