Von der Leyen ofron garanci për gjuhën maqedonase, opozita proteston
REL
Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut të enjten ka nisur debati për miratimin e dokumentit të njohur si “propozimi francez”, për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.
Dy vendet, prej kohësh, kanë mospajtime për çështjen e gjuhës, të identitetit dhe të së kaluarës historike, që kanë bllokuar integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Franca ka dalë me një propozim prej shtatë pikash, që kërkon lëshime nga të dyja palët. Shkupi, mes tjerash, duhet të angazhohet për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare si komb i barabartë me të tjerët.
Qeveria maqedonase e ka mbështetur propozimin, por jo edhe opozita, e cila, tash e dy javë gati, organizon protesta. Para ndërtesës së Kuvendit, janë mbledhur protestues me flamujt maqedonas e pankarta në duar.
Deputetëve të Maqedonisë së Veriut me një fjalim iu drejtua edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ajo tha para deputetëve se “është koha për marrjen e vendimeve të mençura për ta çuar vendin drejt integrimit evropian”, ndërsa siguroi deputetët se me propozimin e modifikuar francez, nuk rrezikohet gjuha maqedonase, deklaratë kjo që u prit me duartrokitje nga deputetët e shumicës parlamentare dhe fishkëllima nga deputetët e opozitës.
“Kam dëgjuar me vëmendje për shqetësimin tuaj për gjuhën dhe identitetin. Nuk ka dyshime, gjuha maqedonase është gjuha e juaj. E përsëris, nuk ka dyshime, gjuha maqedonase është gjuhë e juaja dhe ne plotësisht e respektojnë. Në propozimin e modifikuar qëndron gjuha maqedonase pa kualifikime nga Bashkimi Evropian. Protokolli respekton edhe identitetin tuaj kombëtar. Parimi i vetëidentifikimit është me rëndësi të veçantë për të gjithë ne. Mund të llogarisni në mua".
"Si kryetare e KE-së, dua t’ju siguroj se procesi i anëtarësimit do t’i respektojë rreptësishtë parimet evropiane dhe standardet”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila paraprakisht u takua me presidentin Stevo Pendarovski dh kryeministrin Dimitar Kovaçevski.























