Parlamenti i Serbisë zgjodhi nënkryetar gjeneralin që luftoi në Kosovë
Foto: Parlamenti i Serbisë
Rajoni dhe Bota

Parlamenti i Serbisë zgjodhi nënkryetar gjeneralin që luftoi në Kosovë

Jeton Musliu / RTKlive

Parlamenti i Serbisë zgjedh nënkryetar komandantin e ushtrisë së ish Jugosllavisë së Sllobodan Millosheviqit, ku në rajonin në të cilin komandoi, u vranë 885 civilë shqiptarë.

Duket e pamundur që Serbia të shkëputet nga e kaluara e saj kriminale. Kjo meqë personat që ishin dikur pjesë e makinerisë vrasëse të regjimit të diktatorit Sllobodan Milosheviq, vazhdojnë të ngritën në pozita të larta shtetërore.

Presidenti aktual i Serbisë,  Aleksandër Vuçiq ishte ministër i Propagandës në  regjimin e Millosheviqit.

 Ivica Daçiq, që ishte deri më tani kryetar i Kuvendit të Serbisë dhe i Partisë Socialiste, ishte zëdhënës i kësaj  partie,  në kohën e kasapit të Ballkanit.

Sidoqoftë, i fundit por jo i vetmi që ngjitet në pozitat e larta të shtetit, e  që dikur i shërbyen atij regjimi është edhe Bozhidar Deliq.

Ai ishte komandanti i Brigadës 549 të Motorizuar të Ushtrisë së Jugosllavisë, brigadë kjo që ishte përfshirë në vrasjet masive të civilëve në Kosovë.

Tani, Deliq është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Serbisë. Ai është një nga shtatë nënkryetarët e rinj të Parlamentit të Serbisë që të martën, kryetar i këtij institucioni u zgjodh Vladimir Orliq, që pason Ivica Daçiqin në këtë post.

Deliq është  propozuar për këtë post nga e djathta serbe “Shpresa” (NADA) dhe për këtë pozitë mori 197 vota.

Në pjesët ku ka operuar brigada që drejtonte Deliq, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-99, janë vrarë 885 civilë.

Ndër të tjera, në sulmet në fshatrat Mejë dhe Korenicë gjatë 27 prillit të vitit 1999, policë, ushtarë dhe paramilitarë serbë të kësaj brigade, kanë vrarë të paktën 377 civilë, 36 prej të cilëve ishin nën 18-vjeç.

 


APR
Romay Lift

MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota