Ukraina nën presion në Lindje, ndërsa NATO paralajmëron Rusinë
Rajoni dhe Bota

Ukraina nën presion në Lindje, ndërsa NATO paralajmëron Rusinë

VOA

Ukraina tha të enjten se kishte zmbrapsur sulme të shumta ruse në një zonë me rëndësi strategjike në lindje të vendit, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se Moska nuk duhet të lejohet të fitojë luftën.

Ushtria ukrainase tha të enjten forcat ruse kishin kryer të paktën dy sulme në Pisky të rajonit të Donbasit, por shtoi se trupat ukrainase kishin arritur t'i zmbrapsnin ato.

Ministria ruse e mbrojtjes të enjten konfirmoi se forcat e saj ishin në ofensivë dhe se kishin shkaktuar humbje të mëdha mes forcave ukrainase në provincën Donetsk, duke detyruar tërheqjen e njësive të Kievit.

E furnizuar me armë të sofistikuara nga Perëndimi, Ukraina ka vënë në shënjestër forcat e mbështetura nga Rusia në Lindje.

Zyrtarët në Republikën e vetëshpallur të Donetskut të mbështetur nga Rusia thanë të enjten se bombardimet ukrainase kishin vrarë të paktën pesë persona dhe plagosur gjashtë në Donetsk.

Pavlo Kyrylenko, guvernatori ukrainas i Donetskut, tha në Telegram se tre civilë ishin vrarë nga bombardimet ruse në Bakhmut, Maryinka dhe Shevchenko dhe pesë u plagosën në 24 orët e fundit.

Tetë persona u vranë dhe katër u plagosën nga granatat e artilerisë ruse në qytetin Toretsk në Donetsk, tha ai.

Ukraina tha se ofensiva ruse në lindje dukej si një përpjekje për ta detyruar atë të zhvendoste trupat nga jugu, ku forcat e Kievit po përpiqen të rimarrin territorin dhe të shkatërrojnë linjat ruse të furnizimit në përgatitje të një kundërofensive më të gjerë.

Paralajmërimi i NATO-s

Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha të enjten se lufta ishte momenti më i rrezikshëm për Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore dhe se Rusia nuk duhet të lejohet ta fitojë atë.

Për të mos lejuar suksesin e Moskës, NATO-s dhe vendeve anëtare të saj mund të duhet të mbështesin Ukrainën me armë dhe ndihma të tjera për një kohë të gjatë, tha ai.

"Është në interesin tonë që kjo lloj politike agresive të mos ketë sukses," tha zoti Stoltenberg në një fjalim në vendlindjen e tij, Norvegji.

Mes shqetësimeve të disa politikanëve në Perëndim se ambiciet e Rusisë mund të shtrihen përtej Ukrainës, zoti Stoltenberg paralajmëroi presidetin rus, Vladimir Putini se përgjigja ndaj një lëvizjeje të tillë nga aleanca ushtarake perëndimore do të ishte dërrmuese.

"Nëse Presidenti Putin mendon të bëjë diçka të ngjashme me një vend të NATO-s siç ka bërë me Gjeorgjinë, Moldavinë ose Ukrainën, atëherë e gjithë NATO-ja do të angazhohet menjëherë," tha ai.


APR
Romay Lift