Jeruzalem, hyn në fuqi armëpushimi mes Izraelit dhe `Xhihadit islamik`
Rajoni dhe Bota

Jeruzalem, hyn në fuqi armëpushimi mes Izraelit dhe `Xhihadit islamik`

ATSH-DPA-AA

Një armëpushim midis Izraelit dhe organizatës militante ”Xhihadi islamik palestinez” (PIJ) në Rripin e Gazës hyri në fuqi në orën 23:30 (20:30 GMT) të dielën në mbrëmje, pasi të dyja palët konfirmuan se ranë dakord për të.

Megjithatë, PIJ tha se po këmbëngulte në të drejtën e saj për t’iu përgjigjur çdo agresioni izraelit.

Izraeli gjithashtu theksoi se ruan të drejtën për t’u përgjigjur fuqishëm nëse shkelet armëpushimi.

Armëpushimi vjen pas një operacioni të shënjestruar ushtarak izraelit që vrau disa anëtarë të rangut të lartë të PIJ në Rripin e Gazës, përfshirë shefin ushtarak Taisir al-Jabari dhe komandantin jugor të ”Xhihadit islamik”, Khaled Mansour.

Raportohet se është rritur në 39 numri i personave që kanë humbur jetën në Gaza, ku Izraeli kryen sulme që nga 5 gushti.

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë së Palestinës thuhet se në sulmet e Izraelit kundër Gazës kanë humbur jetën 39 persona, përfshirë shtatë fëmijë dhe pesë gra.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee nga llogaria e tij në median sociale ka ndarë pamjet e një rakete për të cilën pretendon se është hedhur nga ”Xhihadi islamik” dhe ka rënë në një pikë brenda kufijve të Gazës.

Ai mbron idenë se pamjet në fjalë janë regjistruar në rajonin Jabalia.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota