Finlandë, më 2023 mund të dixhitalizohen kartat e identitetit
Rajoni dhe Bota

Finlandë, më 2023 mund të dixhitalizohen kartat e identitetit

Përktheu: Muharrem Miftari/RTKlive

Në fillim të vitit 2023, një dëshmi dixhitale e identitetit mund të përdoret së bashku me pasaportat dhe kartat e identitetit. Është një dëshmi zyrtare e identitetit, por në një aplikacion celular.

E drejta e finlandezëve për vetëvendosje në lidhje me të dhënat e tyre përmirësohet me kartën e re të identitetit dixhital.

“Karta e identitetit dixhital mund të përdoret për dy qëllime kryesore: për të forcuar identitetin e dikujt kur bën biznes në internet dhe kur merr paketa ose blen produkte që kërkojnë forcimin e identitetit të dikujt”,deklaroi për mediet skandinave Riitta Partala, drejtoreshë e Agjencisë për Dixhitalizimin dhe të Dhënat e Popullsisë.

Sot ekziston vetëm një version testues në finlandisht, por kur produkti të dalë në treg, aplikacioni do të jetë i disponueshëm në finlandisht, suedisht dhe anglisht.

Partala beson se vërtetimi i identitetit dixhital do të përdoret kryesisht nga njerëz që tashmë paguajnë për blerjet e tyre me telefonin e tyre celular dhe nuk mbajnë më portofolin e tyre fizik.

Si ndikon karta dixhitale e identitetit në jetën e përditshme të finlandezëve?

“Avantazhi më i madh i kartës së identitetit dixhital është se ju mund të kufizoni se cilat informacione ndahen. Në situatat kur, për shembull, kërkohet që njerëzit të jenë mbi 18 vjeç, mjafton të ndani informacionin se jeni mjaft i rritur dhe një foto të fytyrës tuaj. Emri, numri i sigurimeve shoqërore ose data juaj specifike e lindjes nuk ndahen”,theksoi Partala.

Ajo, më tej, shpjegon se as Policia dhe as Autoriteti për Dixhitalizimin dhe të Dhënat e Popullsisë nuk mund të gjurmojnë se ku dhe kur përdoret karta e identitetit dixhital.

Ekspertja e produktit Petra Lautamäki dëshiron të nënvizojë se vërtetimi i ri i identitetit është plotësisht vullnetar dhe kërkon një angazhim aktiv nga përdoruesi për të filluar përdorimin e tij.

“Karta e identitetit dixhital nuk është këtu për të zëvendësuar pasaportat dhe kartat e identitetit, por është një alternativë e tretë e identifikimit. Karta e identitetit dixhitale është falas, por për të filluar përdorimin e kartës së identitetit kërkohet pasaportë ose kartë identiteti, që është e vlefshme”, sqaroi Partala.

Një avantazh tjetër i provës së identitetit është se nëse telefoni humbet ose vidhet, është më e lehtë të parandalosh dikë që të përdorë të dhënat personale.

 

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota