Kievi thotë se rusët po tentojnë t`ia zhvendosin forcat nga Donbasi
Rtklive
Rajoni dhe Bota

Kievi thotë se rusët po tentojnë t`ia zhvendosin forcat nga Donbasi

Ofensiva ruse është duke vazhduar drejt qyteteve Bakmut dhe Avdjivka në rajonin lindor të Donjeckut, ka thënë ushtria ukrainase.

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, “armiku është duke tentuar të shkaktojë humbje maksimale” te forcat ukrainase.

Sipas tij, forcat ajrore ruse janë duke bombarduar objekte ushtarake në drejtim të Donjeckut, për të mbështetur operacionet tokësore, ashtu që të zhvendosin njësitet ukrainase nga linjat e frontit.

Inteligjenca britanike ka paralajmëruar më 8 gusht se Rusia është duke përdorur mina kundër personelit, me qëllim të ruajtjes së pikave ku janë të vendosura trupat e saj në Donbas.

Raportimet për fushëbetejën, nga të dyja palët, janë vështirë të kontrollueshme.

Ndërkohë, sytë e faktorëve ndërkombëtarë vazhdojnë të jenë te grantimet në centralin bërthamor në Zaporizhja, për shkak të rrezikut të ndonjë katastrofe.

Në Zaporizhja gjendet centrali më i madh bërthamor në Evropë.

LEXONI EDHE KËTË:

Toka e djegur: Kostoja katastrofike mjedisore e luftës në Ukrainë

Ky qytet ka rënë në duart e forcave ruse në fillim të luftës në Ukrainë, mirëpo centrali bërthamor vazhdon të kontrollet nga stafi ukrainas.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se “çfarëdo sulmi në centralin bërthamor përbën hap vetëvrasës”.

Ai ka bërë thirrje që inspektorët ndërkombëtarë të kenë qasje në Zaporizhja.

Mirëpo administrata lokale, e instaluar në këtë qytet nga Rusia, është cituar të ketë thënë - sipas agjencisë ruse të lajmeve, Interfax - se centrali është duke funksionuar “në gjendje normale”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota