Vjeshtë e nxehtë në Gjermani?
Rtklive
Rajoni dhe Bota

Vjeshtë e nxehtë në Gjermani?

DW

Zyra e Mbrojtjes Kushtetuese paralajmëron se grupet ekstremiste mund t`i përdorin krizat aktuale për t`u mobilizuar. Saksonia mund të bëhet sërish një pikë e nxehtë, beson një sociolog.

Zyra e Mbrojtjes Kushtetuese në Gjermani paralajmëron se grupet ekstremiste dhe Rusia mund t'i përdorin krizat aktuale për të përçarë shoqërinë në Gjermani. Kryetari i Zyrës së Mbrojtjes Kushtetuese në Gjermani, Thomas Haldenwang foli të mërkurën për një pakicë të radikalizuar. Një pakicë ekstremistësh të djathtë, njerëz që sfidojnë legjitimitetin e shtetit, "qytetarë të Rajhut” dhe teoricienët e konspiracionit po pozicionohet tha ai për të keqpërdorur tema të tilla si lufta ruse ose rritja e çmimeve. Kësaj i shtohen edhe sulmet kibernetike. Mbetet për t'u parë nëse dhe në çfarë mase agjitacioni me fjalë në internet mund të kthehet në protesta radikale.

"Ajo që i ndërlikon gjërat është se Rusia përdor instrumente të tilla si sulmet kibernetike dhe dezinformimin si leva hibride për të përçarë shoqërinë në Gjermani”, tha Haldenwangu. Megjithatë, ende nuk është e qartë se sa i madh është potenciali i mobilizimit. "Deri tani, nuk ka ende shenja të protestave të përhapura antishtetërore, apo edhe trazirave masive të dhunshme”, tha ai.

Kriza energjetike shihet si pasojë e politikës së sanksioneve

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha gjithashtu se ai nuk priste një "vjeshtë të nxehtë" dhe trazira në Gjermani pavarësisht nga rritja e çmimeve të energjisë. Megjithatë, disa ministra federalë dhe rajonalë kanë paralajmëruar se mund të përballemi me një "vjeshtë të nxehtë", për shembull kur të ndihet plotësisht rritja e çmimit të energjisë ose po të ketë mungesë gazi. Ka tregues për mundësinë e një rritjeje të protestave, siç janë demonstratat e së hënës.

Ne e vëzhgojmë situatën me vëmendje të madhe dhe kemi parë, për shembull, midis ekstremistëve të djathtë, që pakënaqësia dhe problemet e përditshme të popullatës shfrytëzohen dhe se frika ngjallet me vetëdije "për të minuar besimin afatgjatë në shteti, qeveria dhe demokracia”, sqaron Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV). Inflacioni dhe kriza energjetike paraqiten si pasoja të drejtpërdrejta të politikës aktuale të sanksioneve perëndimore dhe jo të sulmit rus ndaj Ukrainës.

Paralajmërim nga "protestat në rrugë"

Përveç pandemisë korona, e cila tashmë ka nxitur të ashtuquajturën lëvizje të "Mendjeçelurve" që nga viti 2020, lufta në Ukrainë dhe frika e inflacionit tani do të instrumentalizohen nga grupe të tjera. Një rol këtu do të luante përhapja e vetëdijshme e teorive konspirative.

Në spektrin e ekstremizmit të majtë, Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës vëren se ka pasur veprime kundër kompanive të armatimit që nga sulmi rus në Ukrainë. Sulmet ky institucion i lidh edhe me paketën financiare shumëmiliardëshe për të armatosur ushtrinë gjermane

“Priten bllokime dhe veprime sabotuese”, thotë Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës. Gjithashtu, në horizont ka edhe aktivitete kundër infrastrukturës së karburanteve fosile.

Studiuesi përmend Saksoninë si pikën e nxehtë

Sociologu Piotr Kocyba pret gjithashtu valë të reja protestash të dhunshme në vjeshtë. "Saksonia do të jetë një pikë e nxehtë në këtë kontekst," tha studiuesi. Sipas Kocybas, protestat në vjeshtë mund të arrijnë një shkallë të ngjashme me atë të protestave kundër masave të koronas. Kjo do të varet nga madhësia e rritjes aktuale të çmimeve të energjisë dhe çdo kufizim i furnizimit me gaz që do të prekë konsumatorët.

Tashmë, lojtarë të tillë si partia e ekstremit të djathtë Freie Sachsen (Saksonia e Lirë) dhe Lëvizja e Identitetit po nxisin në mediat sociale, tha Kocyba. E majta kërkon gjithashtu t'u bëjë thirrje qytetarëve të protestojnë në rrugë kundër projektit të taksës së gazit.

Kocyba shpjegoi se ai nuk sheh trazira në Gjermani në kuptimin e barrikadave në qytete dhe djegie të makinave. Megjithatë, ai pret që protestuesit të radikalizohen në tonin e tyre, madje edhe në fantazitë e tyre të dhunës dhe në marrëdhëniet e tyre me autoritetet e sigurisë. Po të vazhdojë kriza, nuk përjashtohet krijimi i grupeve terroriste, siç ndodhi në Freital gjatë protestave kundër refugjatëve.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota