SHBA dhe Tajvani duan të fillojnë së shpejti bisedime tregtare
Rajoni dhe Bota

SHBA dhe Tajvani duan të fillojnë së shpejti bisedime tregtare

DW

Në vjeshtë, qeveria amerikane dëshiron të nisë negociatat e para me Tajvanin. Temat tashmë janë përcaktuar. Marrëdhëniet mes dy vendeve dhe Kinës kërcënohet të përkeqësohen.

Pavarësisht nga situata e tensionuar në Detin e Kinës Jugore, qeveritë e Tajvanit dhe të Shteteve të Bashkuara kanë njoftuar se duan të thellojnë marrëdhëniet e tyre. Negociatat tregtare do të nisin zyrtarisht në "vjeshtën e hershme" dhe do të përfshijnë tema të tilla si bujqësia, tregtia digjitale, rregullimi i tregut dhe heqja e barrierave tregtare. Kjo u bë e ditur nga zyra e Përfaqësueses Tregtare të SHBA-së, Katherine Tai. Edhe pse parimi i këtyre diskutimeve ishte shpallur tashmë më 1 qershor, ato nisin zyrtarisht me deklarimin e temave të planifikuara dhe një datë të përafërt për vjeshtën.

Ky njoftim vjen vetëm dy javë pas qëndrimit të Nancy Pelosit në Tajvan. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA është numri tre në politikën amerikane pas Presidentit dhe Zëvendës Presidentit. Prandaj, udhëtimi i saj në Taipei ishte vizita shtetërore e nivelit më të lartë të Shteteve të Bashkuara në Tajvan në një çerek shekulli dhe u quajt provokim nga Kina. Udhëheqësit e Pekinit u përgjigjën duke organizuar stërvitjet më të mëdha ushtarake në historinë kineze në ujërat pranë Tajvanit.

Kina kundërshton çdo marrëveshje zyrtare me Tajvanin

Kontakte zyrtare nga vendet e tjera me Taipein në parim refuzohen nga Kina. Që kur nisën negociatat përgatitore tregtare midis Tajvanit dhe Shteteve të Bashkuara, Ministria e Punëve të Jashtme kineze bëri të ditur se kundërshtonte çdo marrëveshje të natyrës zyrtare që do të kishte pasoja mbi sovranitetin e Kinës, thuhet në njoftimin për shtyp.

Që nga ndarja midis Kinës dhe Tajvanit në vitin 1949, Pekini e ka konsideruar ishullin si një territor separatist, të cilin dëshiron ta ribashkojë me kontinentin, nëse është e nevojshme me forcë ushtarake. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka shtuar frikën se Pekini do të përvetësojë një qasje të ngjashme në marrëdhëniet e tij me Tajvanin.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota