​Kryeministri Rama reagon pas sulmit ndaj ushtarëve në Gramsh
BKT
Foto:RTK
Rajoni dhe Bota

​Kryeministri Rama reagon pas sulmit ndaj ushtarëve në Gramsh

(E plotësuar) Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar pas sulmit ndaj ushtarëve shqiptarë në fabrikën e Gramshit .

Ai në një postim në Twitter është shprehur krenar për rojet ushtarake që i neutralizuan tre individët e dyshuar për spiunazh.

“Çfarë trishtimi që edhe kur bëhet fjalë për një ngjarje kaq delikate sa ajo e Gramshit, gjithëfarë gjelash laramanë ia marrin avazit majë plehut të interesave të tyre mizerabël! Po edhe çfarë krenarie për rojet ushtarake që i neutralizuan tre individët e dyshuar për spiunazh!”, ka shkruar Rama derisa ju ka uruar shërim të shpejtë të lënduarve.

“Shërim të shpejtë të lënduarve dhe tani të presim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje!”

Incidenti në Gramsh, Policia: U shoqëruan 2 shtetas rusë dhe 1 ukrainas

/ATSH/ Policia e Shtetit zbardhi mbrëmjen e sotme dinamikën e incidentit në Uzinën ushtarake në Gramsh.

Sipas njoftimit, nga shërbimet e Uzinës Ushtarake Çekin në Gramsh, është njoftuar se ne afërsi të rrethimit të uzinës është konstatuar një shtetas i paidentifikuar me aparat fotografik në dorë, i cili ka tentuar të fotografojë ambientet e zonës ushtarake.

“Në momentin që 2 ushtarakët që ruanin objektin, e kanë pikasur dhe i janë afruar ta ndalojnë dhe ta kapin, shtetasi i huaj iu është kundërpërgjigjur me spray neuroparalizues, por 2 ushtarakët që ruanin uzinën kanë bërë të mundur neutralizimin e tij”, thuhet në njoftim.

Shërbimet e Policisë me të marrë njoftim kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z., 24 vjeç, në ambientet e Komisiaratit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë nga veprimet paraprake hetimore kanë marrë informacion se ky shtetas ishte shoqëruar edhe nga dy shtetas të tjerë dhe menjëherë kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë kontrolluar zonën.

Shërbimet e Policisë bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse S.T. 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25 vjec, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj,

Për këtë ngjarja janë angazhuar Departamenti i Policisë Kriminale dhe Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe po koordinohen veprimet me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Dy ushtarakët e dëmtuar pas ndihmës së parë mjekësore janë transportuar në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

 Berisha: Turistë zbulues rusë sulmojnë si terroristë

/ATSH/ Partia Demokratike reagoi sot ndaj incidentit në uzinën ushtarake të Gramshit.

Përmes një deklarate në orët e mbrëmjes, postuar nga Berisha në rrjetet sociale, PD u shpreh se “dënon me ashpërsinë më të madhe këtë akt agresioni terrorist të zbuluesve rus ndaj rojeve të Uzinës Ushtarake të Gramshit, veprimtarinë e tyre subversive ndaj vendit tonë”.

“Partia Demokratike dënon edhe vlerësimin si incident nga Ministria e Mbrojtjes të këtij akti të mirëfilltë agresiv ndaj jetës së ushtarakëve tanë në detyrë dhe sovranitetit të vendit tonë, vijon njoftimi.

“Partia Demokratike ka dënuar me parë heqjen e vizave dhe pranimin në këtë kohë lufte të turistëve rus nga Edi Rama dhe qeveria e tij dhe sot kërkon rivendosjen e vizave për qytetarët e Rusisë dhe ndalimin e menjëhershëm të hyrjes në Shqipëri të turistëve nga Rusia”, thuhet në deklaratë.

Sipas njoftimit nga MM, 3 shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë.

Shtetasit e huaj janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Ministria e Mbrojtjes deklarohet për ngjarjen në fabrikën e Gramshit

Ministria e Mbrojtjes  ka dalë me një deklarate për incidentin që ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Uzinën ushtarake në Gramsh.

“Një incident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Uzinën ushtarake në Gramsh: tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj, janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës në Tiranë”, deklaroi kjo ministri.

Shtetasit e huaj janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Gjendja shëndetësore e dy ushtarakëve shqiptare është e stabilizuar.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota