Ballkani në Grupin G në UEFA Conference League, e presin përballje të forta
B. Halimi / RTKlive
Kampioni i Kosovës, FC Ballkani, është njohur tashmë me kundërshtarët e fazës së grupeve në UEFA Conference League.
Në shortin e tërhequr sot në Stamboll, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja, e cila mbrëmjen e kaluar shënoi suksesin historik për futbollin kosovar duke kaluar në këtë fazë të garave, është vendosur në Grupin G, ku do të garojë me skuadrat e njohura të futbollit evropian si Slavia Praha nga Çekia, CFR Cluj nga Rumania dhe Sivasspor nga Turqia. Ndeshjen e parë në kuadër të fazës së grupeve, Ballkani e luan më 8 shtator, derisa më pas luan me 15 shtator, 6 tetor, 13 tetor, 27 tetor dhe 3 nëntor. Fituesit e tetë grupeve kalojnë direkt në fazën e 1/16 së finales, derisa skuadrat e vendit të dytë në tetë grupet luajnë në ‘Play-Off” me 8 skuadrat e vendit të tretë në grupet e UEFA Europa League.
























