Grupi i Ballkanit në Conference League, Slavia Prague e bën dallimin
Uran Krasniqi/RTKLive
Slavia Prague është klub i cili për nga kapacitetet bën dallimin e madh jo vetëm me Ballkanin po edhe me të tjerët në Grupin G në UEFA Conference League.
Kampioni kosovar ka mësuar kundërshtarët të premtën, me të cilët do të përballet në fushën e lojës duke filluar nga shtatori, pas suksesit në fazën kualifikuese, ku arriti të bëhet klubi i parë kosovar që depërton në finalet e një gare të kupave evropiane.
Sipas faqes së profilizuar për vlerën e klubeve dhe të futbollistëve, "transfermarkt", Slavia Prague ka një buxhet disa herë më të madh se sa Ballkani dhe se sa Sivasspor e Cluj, që gjithashtu janë pjesë e grupit.
55 milionë euro është buxheti i klubit nga Praga. Ndërsa Peter Olayinka, dikur ish-lojtar i Skënderbeut të Korçës, është lojtari më i shtrenjtë me vlerë 6.50m.
Klubi turk dhe ai nga Rumania kanë vlerë identike. Të dyja kushtojnë nga 27 milionë euro. Dia Saba është lojtari më i shtrenjtë te Sivasspor me vlerë 4.80m, ndërsa te Cluj lojtari më i shtrenjtë me vlerë 4.00m është Andrei Burca.
Vlera e Ballkanit është vetëm 4 milionë euro, kurse lojtari më i shtrenjtë Ermal Krasniqi, vlera e të cilit është 350 mijë euro.























