Ambasadori amerikan: Nuk do t’ia lëmë Bosnje e Hercegovinën Rusisë
REL
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja janë shprehur mjaft qartë për angazhimin e tyre ndaj sovranitetit, integritetit territorial dhe karakterit shumetnik të Bosnje e Hercegovinës (BeH), thotë ambasadori amerikan në këtë vend, Michael Murphy një intervistë për REL.
“Neve na intereson Bosnje e Hercegovina dhe e tillë është situata për 25-30 vjet dhe kjo nuk ka ndryshuar. Ne gjithashtu duam të sigurojmë dhe mbrojmë sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin shumetnik të këtij vendi dhe jemi të gatshëm të përdorim mjetet që kemi në dispozicion për të mbrojtur integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin shumetnik të këtij vendi. Kjo përfshin sanksionet, kur është e përshtatshme, siç ka thënë Antony Blinken [sekretari i Shtetit të SHBA-së] disa muaj më parë, se ne jemi të përkushtuar të qëndrojmë këtu, të mos largohemi nga Bosnje e Hercegovina. Kjo është një. Nën dy, është goxha e qartë se qytetarët e këtij vendi, por edhe politikanët e këtij vendi, e kanë vënë si synim avancimin dhe anëtarësimin në këto institucione euroatlantike. Ne i mbështesim këto synime. Kjo është ajo që njerëzit mbështesin. Kështu që, kur shikoj se çfarë po bën Rusia në këtë vend, mendoj se ata po punojnë kundër qëllimeve që duan të arrijnë qytetarët e këtij vendi. Disa nga deklaratat e tyre, thënë sinqerisht, ishin të papërgjegjshme. E dini, kur shikoni se çfarë po bën Rusia në Ukrainë dhe Evropë tani, me agresionin brutal dhe barbar kundër Ukrainës, mund të konkludoni se Rusia nuk kujdeset për interesat, jo vetëm të Evropës, por as të Bosnje e Hercegovinës dhe as të Ballkanit Perëndimor. Nuk dëshiron që të shoh stabilitet, siguri, paqe dhe prosperitet në BeH. Problemi është në këtë”, ka theksuar Murphy.
Ai thekson se Rusia nuk pyetet, kur bëhet fjalë për vendimet e marra nga Bosnje e Hercegovina në lidhje me marrëdhëniet brenda marrëveshjeve.
“Rusia nuk pyetet, kur bëhet fjalë për vendimet e marra nga Bosnje e Hercegovina në lidhje me marrëdhëniet brenda marrëveshjes, nëse bëhet fjalë për anëtarësim në Bashkimin Evropian apo për anëtarësim në NATO. Sjellja e këtyre vendimeve i takon Bosnje e Hercegovinës sovrane”, ka shtuar ai.
Ai gjithashtu thotë se angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj BeH-së është i përhershëm dhe se do të ruajë praninë e vetë ndërkombëtare dhe praninë ushtarake ndërkombëtare.























