OKB akuzon Kinën për krime në Xinjiang
BKT
Rajoni dhe Bota

OKB akuzon Kinën për krime në Xinjiang

Hanife Osmani/RTK

Kina mund të ketë kryer krime kundër njerëzimit në provincën Xinjiang, ku jetojnë 12 milionë ujgurë, kryesisht myslimanë, thuhet në raportin e Kombeve të Bashkuara. Pekini zyrtar i ka mohuar akuzat dhe e ka quajtur raportin si farsë të fuqive perëndimore.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka akuzuar Kinën për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Raporti u hartua pas akuzave për abuzime në provincën Xinjiang, kundër myslimanëve ujgurë dhe pakicave të tjera etnike, akuza që janë mohuar nga Kina. Por raporti i OKB-së konkludon se ka
prova të besueshme se janë kryer tortura që mund të përbënin “krime kundër njerëzimit”.

Përdorimi i ligjeve jo të qarta të sigurisë kombëtare, shtypja e të drejtave të pakicave dhe krijimi i sistemeve për ndalim arbitrar, ishin disa nga akuzat në këtë raport.

Raporti që u porosit nga Zyra e Komisionarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, tha se të burgosurit u ishin nënshtruar "modeleve të keqtrajtimit" që përfshinin "incidente të dhunës seksuale dhe me bazë gjinore".

OKB rekomandoi që Kina të ndërmarrë menjëherë hapa për lirimin e të gjithë personave të privuar
arbitrarisht nga liria, duke theksuar se veprimet e Pekinit mund të përbëjnë krime ndërkombëtare, përfshirë këtu krimet kundër njerëzimit.

Në Xinjiang jetojnë rreth 12 milionë ujgurë, kryesisht myslimanë. OKB tha se anëtarët jomyslimanë mund të jenë prekur gjithashtu nga çështjet e cekura në raport. Shtetet e Bashkuara dhe ligjvënësit në disa vende të tjera kanë denoncuar më parë veprimet e Kinës në Xinjiang si gjenocid, por OKB-ja nuk e bëri këtë akuzë. Por tani, me publikimin e këtij raporti, pavarësisht mohimeve të forta të qeverisë kineze, OKB-ja e ka pranuar zyrtarisht se
po ndodhin “krime të tmerrshme”.

Kina kishte kërkuar nga OBK-ja mospublikimin e këtij raporti, duke e cilësuar atë si një farsë nga fuqitë perëndimore dhe në të njëjtën kohë duke mohuar
fuqishëm akuzat në drejtim të saj.
 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota