Fundi i një epoke mbretërimi
Jeton Musliu/ RTKlive
(Plotësuar) Jeta e mbretëreshës Elizabeth II në krye të monarkisë dhe shtetit, përfshinë periudha të ndryshme përgjatë historisë 70 vjeçare të drejtimit të vendit. Mbretërimi i saj përfshinë masat shtrënguese të pasluftës, tranzicionin nga perandoria në Commonwealth, fundin e Luftës së Ftohtë dhe hyrjen dhe tërheqjen e Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Evropian.
Gjatë sundimit të saj, ajo përcolli 15 kryeministra duke filluar me Winston Churchill, i lindur me 1874, dhe duke përfshirë zonjën Truss, të lindur 101 vjet më vonë në 1975.
Ajo mbajti audienca javore me kryeministra gjatë gjithë mbretërimit të saj.
Në Pallatin Buckingham në Londër, turma që priste sot (e enjte) përditësimin për gjendjen e mbretëreshës, filloi të qante ndërsa dëgjoi për vdekjen e saj. Flamuri i Mbretërisë së Bashkuar u ul në gjysmështizë në orën 18:30.
Mbretëresha lindi si Elizabeth Alexandra Mary Windsor, në Mayfair, Londër, më 21 prill 1926.
Pak mund ta kishin parashikuar se ajo do të bëhej monarke, por në dhjetor 1936, xhaxhai i saj, Eduardi VIII, abdikoi nga froni për t'u martuar me amerikanen e dy herë të divorcuar, Ëallis Simpson.
Babai i Elizabeth u bë Mbreti George VI dhe, në moshën 10-vjeçare, Lilibet, siç njihej në familje, u bë trashëgimtare e fronit.
Pas tri vjetëve, Britania ishte në luftë me Gjermaninë naziste. Elizabeth dhe motra e saj më e vogël, princesha Margaret, kaluan pjesën më të madhe të kohës së luftës në Kështjellën Windsor pasi prindërit e tyre refuzuan sugjerimet që ata të evakuoheshin në Kanada.
Pasi mbushi 18 vjeç, Elizabeth kaloi pesë muaj me Shërbimin Territorial Ndihmës dhe mësoi aftësitë bazë të mekanikës motorike dhe drejtimit.
Gjatë luftës, ajo shkëmbeu letra me kushëririn e saj të tretë, Filipin, Princin e Greqisë, i cili shërbente në Marinën Mbretërore. Romanca e tyre lulëzoi dhe çifti u martua në Westminster Abbey më 20 nëntor 1947, me princin që mori titullin Duka i Edinburgut.

Ajo më vonë do ta përshkruante atë si "forca dhe qëndrimi im" gjatë 74 viteve të martesës, para vdekjes së tij në 2021, në moshën 99-vjeçare.
Djali i tyre i parë, Charles, lindi në 1948, pasuar nga princesha Anne, në 1950, princi Andrew, në 1960 dhe princi Eduard, në 1964. Ata u dhanë prindërve, tetë nipër e mbesa dhe 12 stërnipër.
Princesha Elizabeth ishte në Kenia në vitin 1952, duke përfaqësuar Mbretin e sëmurë, kur Filipi dha lajmin se babai i saj kishte vdekur. Ajo u kthye menjëherë në Londër si mbretëreshë e re.
"Ishte e gjitha shumë e papritur për të marrë përsipër dhe për të bërë punën sa më të mirë që mundesh," kujtoi ajo më vonë.
Elizabeth u kurorëzua në Westminster Abbey më 2 qershor 1953, në moshën 27-vjeçare, para një audiencë televizive të atëhershme, rekord që përllogaritej të ishte parë nga më shumë se 20 milionë njerëz.
Dekadat e mëvonshme do të shihnin ndryshime të mëdha.
Elizabeth reformoi monarkinë për këtë epokë pak të respektueshme, duke u angazhuar me publikun përmes shëtitjeve, vizitave mbretërore dhe pjesëmarrjes në ngjarje publike. Angazhimi i saj ndaj Commonwealth ishte i vazhdueshëm - ajo vizitoi çdo vend të Commonwealth të paktën një herë.
Por kishte periudha dhimbjeje private dhe publike. Në vitin 1992, zjarri shkatërroi Kështjellën windsor - një rezidencë private si dhe pallat pune e gjithashtu martesat e tre fëmijëve të saj përfunduan në divorce.
Pas vdekjes së Dianës, Princeshës së Uellsit, në një aksident automobilistik në Paris në vitin 1997, Mbretëresha u kritikua për ngurrimin për t'iu përgjigjur publikisht.
Madje, u vendos pikëpyetje e në lidhje me rëndësinë e monarkisë në shoqërinë moderne.
"Asnjë institucion... nuk duhet të presë të jetë i lirë nga shqyrtimi i atyre që ia japin besnikërinë dhe mbështetjen e tyre, për të mos përmendur ata që nuk e bëjnë," pranoi ajo.

Vdes Elizabeth II, mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar
Mbretëresha Elizabeth II, monarkja më jetëgjatë në Mbretërinë e Bashkuar, ka vdekur në Balmoral në moshën 96-vjeçare, pasi mbretëroi për 70 vjet.
Familja e saj u mblodh në pronën e saj në Skoci, pasi shqetësimet u rritën për shëndetin e saj, pasditen e së enjtes.
Mbretëresha erdhi në fron në vitin 1952 dhe dëshmoi ndryshime të mëdha shoqërore.
Me vdekjen e saj, djali i saj i madh Charles, ish Princi i Uellsit, do ta udhëheqë vendin, që aktualisht është në zi, si Mbreti i ri dhe kreu i shtetit për 14 mbretëritë e Komonuelthit.
Në një deklaratë, Madhëria e Tij, Mbreti Charles tha: "Vdekja e nënës sime të dashur, Madhërisë së saj, është një moment i trishtimit më të madh për mua dhe të gjithë anëtarët e familjes sime. Ne vajtojmë për vdekjen e një sovraneje të dashur dhe të një nëne shumë të dashur. E di që humbja e saj do të ndihet thellësisht në të gjithë vendin, mbretërinë dhe Komonuelth si dhe nga njerëz të panumërt anembanë botës."
Ai tha se gjatë periudhës së zisë dhe ndryshimit, ai dhe familja e tij do të "ngushëlloheshin dhe mbështeten nga respekti dhe dashuria e thellë me të cilën mbretëresha mbahej nga të gjithë".
Në një deklaratë, nga Pallati Buckingham u deklarua: "Mbretëresha vdiq paqësisht në Balmoral këtë pasdite. Mbreti dhe bashkëshortja e tij, do të qëndrojnë në Balmoral këtë mbrëmje dhe do të kthehen nesër në Londër."
Të gjithë fëmijët e mbretëreshës udhëtuan në Balmoral, afër Aberdeen, pasi mjekët e vendosën Lartmadhërinë e saj nën mbikëqyrjen mjekësore.
Nipi i saj, Princi William, është gjithashtu atje, me vëllanë e tij, Princin Harry.























