Plani për cermoninë e varrimit të Elizabeth II
BKT
Foto: BBC
Rajoni dhe Bota

Plani për cermoninë e varrimit të Elizabeth II

Përgatiti: Jeton Musliu/RTKlive

Vdekja e Elizabeth II i dha fund mbretërimit më të gjatë në historinë britanike. Ajo vdiq në qetësi e rrethuar nga familja e saj në kështjellën Balmoral në Skoci.

Në ditët në vijim, do të bëhen homazhe të shumta kurse shteti po bën përgatitjet për ta nderuar monarkun e cila vdiq në moshën 96 vjeç.

Arkivoli i mbretëreshës do të niset nga  Balmoral në ditët në vijim për në Pallatin e Holyroodhouse në Edinburg - rezidenca zyrtare e monarkes britanike në Skoci.

Prej këtu do të dërgohet në procesion drejt Katedrales së Shën Giles, ku trupi i mbretëreshës do të qëndrojë për 24 orë, duke lejuar publikun të shohë arkivolin e saj.

Trupi i pajetë i mbretëreshës do të qëndrojë në hollin e Westminster (Parlamentit britanik v.j)  për rreth katër ditë, para ceremonisë së funeralit të saj, duke lejuar publikun të bëjë nderimet e tij.

Salla e madhe është pjesa më e vjetër e Pallatit të Westminsterit, në zemër të qeverisë britanike.

Anëtari i fundit i familjes mbretërore i vdekur, që u vendos në këtë sallë, ishte Nëna Mbretëreshë,  në vitin 2002, kur më shumë se 200 mijë  njerëz u vunë në radhë për të parë arkivolin e saj.

Arkivoli me trupin e pajetë të mbretëreshës do të qëndrojë në një platformë pak të ngritur, nën një çati prej druri mesjetar në sallën e shekullit të 11-të. Çdo cep i platformës do të ruhet prej  ushtarëve nga njësitë që i shërbejnë Shtëpisë Mbretërore.

Ajo do të sillet në sallën e  Westminster nga Pallati Buckingham, me një lëvizje të ngadaltë, shoqëruar nga një paradë ushtarake dhe anëtarë të familjes mbretërore.

Njerëzit gjithashtu do të jenë në gjendje të shikojnë këtë udhëtim të fundit të saj, derisa  kalon nëpër rrugë dhe ekranet e mëdha që transmetojnë këtë ngjarje, ka të ngjarë të vendosen në parqet mbretërore të Londrës.

Arkivoli i saj do të mbështillet me flamurin  mbretëror kurse në krye të sallës së Westminsterit do të vendoset kurora mbretërore, përfshirë sferën dhe skeptri.

Funerali shtetëror i mbretëreshës pritet të bëhet në Westminster Abbey në më pak se dy javë. Dita e saktë do të konfirmohet nga Pallati Buckingham.

Abbey është kisha historike ku kurorëzohen mbretërit dhe mbretëreshat e Britanisë së Madhe, duke përfshirë kurorëzimin e mbretëreshës në 1953 dhe vendi ku ajo ishte martuar me princin Philip në 1947.

Nuk ka pasur shërbim funerali të një monarku në këtë kishë, që nga shekulli i 18-të, megjithëse funerali i nënës së mbretëreshës, u mbajt atje në 2002.

Krerë shtetesh nga e gjithë bota do të mbërrijnë për t'u bashkuar me anëtarët e familjes mbretërore, për të kujtuar jetën dhe shërbimin e mbretëreshës. Aty do të jenë edhe politikanë të lartë të Mbretërisë së Bashkuar dhe ish-kryeministra.

Dita do të fillojë ndërsa arkivoli i mbretëreshës transportohet nga salla e Westminster në Westminster Abbey, në karrocën shtetërore të marinës së armatosur mbretërore.

Kjo karrocë u pa për herë të fundit në vitin 1979 për funeralin e xhaxhait të princit Philip, Lord Mountbatten, i tërhequr nga 142 marinarë nga Marina Mbretërore.

Anëtarët e lartë të familjes mbretërore, përfshirë mbretin e ri, ka të ngjarë të ndjekin këtë udhëtim të fundit.

Shërbimi ka të ngjarë të kryhet nga dekani i Westminster-it David Hoyle, me kryepeshkopin e Canterbury-t Justin Welby duke mbajtur predikimin. Kryeministrja Liz Truss mund të ftohet për të lexuar një fjalim.

Mbretëresha do të varroset në kupolën përkujtimore të mbretit George VI, që ndodhet brenda asaj të Shën Gjergjit.

(Përkthyer me shkurtime nga BBC)


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota