Japonia urdhëron 2 milionë njerëz të evakuohen me afrimin e tajfunit
ATSH
Japonia paralajmëroi gati dy milionë njerëz që të evakuohen pasi tajfuni Nanmadol iu afrua vendit, raportuan mediat vendase.
“Afro dy milionë njerëz në Kyushu jugor janë urdhëruar të evakuohen sepse një tajfun i fuqishëm, Nanmadol, po i afrohet rajonit”, raportoi transmetuesi publik japonez NHK të shtunën.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA) lëshoi një paralajmërim të nivelit 5 kundër tajfunit, i cili pritet të godasë rajonin Kyushu në jug të vendit.
Alarmi i nivelit 5 është më i larti në shkallën e paralajmërimit të fatkeqësive në Japoni, tha NHK.
“Një tajfun shumë i fortë mund të shkaktojë atë lloj fatkeqësie që shihet vetëm një herë në disa dekada”, raportoi transmetuesi, duke cituar zyrtarët e motit.
Zyrtarët thanë se “erërat maksimale deri në 180 kilometra në orë do të godasin Kyushu-n verior dhe jugor, si dhe Ishujt Amami me erëra maksimale që do të arrijnë 252 kilometra në orë deri të dielën”.























