LIVE| Lamtumirë mbretëreshë!
Jeton Musliu/RTKlive
(Plotësuar) Britania e Madhe po i jep sot lamtumirën e fundit, mbretëreshës më jetëgjatë në historinë e këtij vendi.
Funerali për mbretëreshën Elizabeth II në kishë, tani po përfundon dhe sapo u intonua himni kombëtar. Për herë të parë pas 70 vjetësh, himnit iu ndryshuan fjalët dhe në vend të “Zot ruaje mbretëreshën”, tanimë thuhet “Zot ruaje mbretin”.
Arkivoli do të bartet në rrugët kryesore të Londrës dhe do të varroset në orët e mbrëmjes në Windsor.


Liderët botërorë po nderojnë mbretëreshën Elizabeth II, sot në ditën e funeralit të saj.
Presidentë e kryeministra nga dhjetëra vende të botës po marrin pjesë në funeralin e mbretëreshës më jetëgjatë në fronin e Britanisë së Madhe.
Presidenti amerikan Joe Biden, ai francez, Emanuel Macron, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe padyshim, kryeministrja e Britanisë së Madhe Liza Truss si dhe të gjithë ish kryeministrat e tjerë të këtij vendi.




Kongregacioni prej 2000 personash u ngrit në këmbë, ndërsa arkivoli bartet në kishën e shekullit të 13-të në Londër.
Në këtë kishë po mbahet ceremonia qendrore e funeralit të mbretëreshës Elizabeth II, e cila varroset sot.
"Unë jam ringjallja dhe jeta" këndoi kori i kishës – që janë rreshtat e parë nga shkrimet e shenjta, të njohura si “Fjalitë”, e të cilat janë kënduar në çdo funeral shtetëror që nga shekulli i 18-të.
"Që tani e tutje, të bekuar janë të vdekurit që vdesin në Zotin, kështu thotë Fryma. sepse ata pushojnë nga mundi i tyre. Amen."
Sot në Londër, kanë filluar ceremonitë për funeralin e mbretëreshës Elizabeth II e cila qëndroi në fron për 70 vjet.
Arkivoli i mbretëreshës që vdiq në moshën 96 vjeç, po bartet me ceremoni të larta mbretërore nga Westminster , ku qëndroi për një javë, e ku mijëra njerëz patën mundësi të bëjnë homazhe.
Karroca me arkivolin e saj po shoqërohet me ushtarakë dhe anëtarë të familjes mbretërore.
RTK është duke e transmetuar drejtpërdrejtë këtë ceremoni funerali.























