LIVE|Giresse thotë se Kosova nuk e meritoi humbjen
Uran Krasniqi/RTKLive
Trajneri i Kosovës, Alain Giresse ka komentuar rezultatin e ndeshjes Irlandë e Veriut - Kosovë. Ai ka thënë se ekipi i drejtuar nga ai nuk e meritonte humbjen.
“Rezultati është ky, e pamë lojën. Nuk e meritonim humbjen duke para parasysh lojën tonë, por ky është futbolli. Ndeshja ndahet në dy pjesë. Të parën e menaxhuam shumë mirë. Në pjesën e dytë patë një reagim nga Irlanda e Veriut", ka thënë francezi. "Më vjen keq për rastet e shumta që nuk i konkretizuam. Është pjesa teknike dhe mosreagimi i mirë pas atyre rasteve të humbura. Nuk i shfrytëzuam rastet, prandaj jemi në këtë situatë që jemi".
Disa fjalë i ka thënë edhe futbollisti Florent Muslija.
“Na vjen keq që e humbëm lojën në fund. Kemi bërë ndeshje të mirë. Kemi mundur ta fitojmë lojën, por kështu e ka futbolli ndonjëherë. Ne do të vazhdojmë tutje. Nuk patëm mungesë koncentrimi, shënuam golin e parë, por më pas besoj se u lodhëm edhe ne", ështv shprehur ai.
Kosova e humb ndeshjen që dukej e fituar
Kosova e kishte në dorë fitoren ndaj Irlandës së Veriut, por Muriqi, Bytyçi dhe Zeneli, nuk janë treguar finalizues të mirë secili në nga një rast.
Dhe, siç thuhet në zhargonin futbollistik, "kur nuk shënon ti, atëherë shënon kundërshtari". Irlandezët kanë shënuar.
Ndeshja në Belfast është mbyllur me humbje të Kosovës me rezultat 2-1.
Ekipi i Girese kaloi në epërsi me golin e Muriqit në minutën e 57, por arriti të mbahet vetëm deri në minutën e 82-të. Fillimisht ka qenë Whyte ai i cili ka realizuar për rezultatin 1-1. Pastaj në minutat shtesë Magennis ka gjetur edhe golin e fitores për vendasit.
Ndeshjen e ardhshme Kosova e luan ndaj Qipros, e cila është edhe ndeshja e fundit.
Irlandezët barazojnë rezultatin
Irlanda e Veriut ka barazuar rezultatin ndaj Kosovës.
Kjo ka ndodhur në një moment kur dukej se irlandezët ishin pajtuar me humbjen, pra në dhjetëminutëshin e fundit të ndeshjes.
Ka qenë Whyte ai i cili ka realizuar për rezultatin 1-1.
Muriqi i jep epërsinë Kosovës me një gol të bukur
Kosova ka krijuar epërsi në ndeshjen e cila po zhvillohet në Belfast kundër Irlandës së Veriut.
Ka qenë minuta e pesëdhjetë e shtatë kur Vedat Muriqi me një goditje të fortë nga jashtë zonës ka mposhtur portierin kundërshtar.
Paraprakisht irlandezëve u është anuluar një gol për pozitë jashtë loje. 
S`ka gola në Belfast gjatë pjesës së parë
Ka përfunduar ashtu siç ka nisur pjesa e parë e ndeshjes Irlandë-Kosovë, pra me rezultat 0-0.
Kosovarët arritën të krijojnë disa raste pranë portës, por pa qenë në gjendje t'i finalizojnë me gol. Një goditje e Florent Muslijës nga ndërprerja ka qenë një moment kur irlandezët kanë parë rrezikun serioz.
Skuadrat pritet të kthehen në fushë pas pesëmbëdhjetë minutave.
Nis ndeshja Irlandë e Veriut - Kosovë
Ka nisur ndeshja mes Irlandës së Veriut dhe Kosovës. Ndeshja po zhvillohet në Belfast.
Përballja irlandezo-kosovare është në kuadër të Ligës së Kombeve dhe i përket kategorisë C të këtij organizimi.
Ndeshjen e parë në Prishtinë e kishte fituar Kosova.
Aktualisht grupin e udhëheqë Greqia.
Irlanda Veriut - Kosova, formacionet
Irlanda e Veriut dhe Kosova ballafaqohen sonte në një ndeshje të vlefshme për grupin e dytë të Ligës C në kuadër të Ligës së Kombeve. Tashmë janë publikuar edhe formacionet.

"Dardanët’ mbrëmë në Belfast, kanë zhvilluar stërvitjen e fundit para duelit me irlandezët.
Dueli mes Irlandës dhe Kombëtares sonë, është i rëndësishëm për të dy skuadrat në garën për të kapur vendin e dytë.
Atmosfera në taborin e Kombëtares sonë, është mjaft e mirë dhe premtuese për një rezultat pozitiv në duelin e sontem.
Kujtojmë se ndeshja e parë në mes këtyre dy kombëtareve, e luajtur në “Fadil Vokrri”, përfundoi me fitoren Kosovës, me rezultat 3-2.
Kombëtarja jonë edhe në duelin e sontem synon fitore, derisa tri ditë më vonë në ‘Fadil Vokrri’ e pret Qipron, që është sfida e fundit e këtij cikli garues në Ligë e Kombeve për këtë vit.
Ndeshja Irlanda Veriore-Kosova nis në orën 18:00.























