Trajneri i Qipros: Në Prishtinë kemi ardhur për fitore
Fatmir Bytyqi /RTKlive
"Pas fitores kundër Greqisë, ne duam të vazhdojmë serinë e fitoreve edhe në Prishtinë".
Kështu është shprehur përzgjedhësi i Qipros, Timur Ketspaja, në konferencën për media, një ditë para ndeshjes Kosova-Qipro.
“Dardanët” dhe qipriotët do të ndeshen nesër mbrëma në ‘Fadil Vokrri’ në sfidën e fundit të këtij cikli në Ligën e Kombeve.
Ketspaja ka thënë se ekipi i tij ka ardhur për të fituar në Prishtinë, teksa ka vlerësuar lojtarët e Kosovës duke shtuar se ata luajnë në liga të forta.
“Ndeshje shumë e rëndësishme mendoj për të dyja skuadrat. Pas fitores ndaj Greqisë, ne duam të vazhdojmë serinë e fitoreve”, tha ai.
“Qëllimi ynë është të shmangim play-off-in. Për ta arritur këtë duhet të marrim një rezultat pozitiv nesër. Skuadra është gati. Ne po përgatitemi për ndeshjen. Gjithçka do të jetë mirë”.
“Ne do të përpiqemi të marrim një rezultat pozitiv. Kosova ka lojtarë që luajnë në liga të forta. Dhe ne kemi lojtarë të mirë, djem të rinj që kanë të ardhme përpara tyre. Skuadra nuk e meriton të luajë në playoff”, theksoi Ketspaja.
Aktualisht Kosova zë vendin e dytë me gjashtë pikë, kurse Qipro ka një pikë më pak në vendin e katërt.
Ndeshja Kosova-Qipro nis në orën 20:45.























