Rusia do të aneksojë katër rajone të Ukrainës
Rajoni dhe Bota

Rusia do të aneksojë katër rajone të Ukrainës

REL

Kremlini njoftoi se do t`i aneksojë formalisht katër rajone të Ukrainës, ku së voni u mbajtën të ashtuquajturat referendume për bashkim me Rusinë.

Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se ceremonia e nënshkrimit do të mbahet të premten.

Në të, sipas tij, do të marrin pjesë presidenti rus, Vladimir Putin, dhe udhëheqësit e instaluar nga Moska të katër rajoneve ukrainase: Luhansk, Donjeck, Herson dhe Zaporizhja.

Zyrtarët pro-rusë të këtyre rajoneve thanë se votuesit e kanë mbështetur me shumicë votash bashkimin me Rusinë.

Por, referendumet e ashtuquajtura u hodhën poshtë nga Ukraina, qeveritë perëndimore dhe Kombet e Bashkuara, duke thënë se ato janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Të katër rajonet formojnë një rrip të rëndësishëm tokësor midis Rusisë dhe Gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi ilegalisht nga Ukraina në vitin 2014.

Njoftimi i Kremlinit erdhi vetëm disa orë pasi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se BE-ja po punon për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë.

"Ne nuk i pranojmë referendumet e rreme dhe asnjë lloj aneksimi në Ukrainë. Jemi të vendosur që ta bëjmë Kremlinin të paguajë çmim për këtë përshkallëzim të mëtejshëm [të situatës]", u tha von der Leyen gazetarëve në Bruksel.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota