Infantino në Tiranë, takohet me Ramën
BKT
Sport

Infantino në Tiranë, takohet me Ramën

RTSH

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka mbërritur të enjten pasdreke për një vizitë të shkurtër në kryeqytetin shqiptar, Tiranën.

Kreu i organizmit që qeveris futbollin botëror ka zbarkuar në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas rreth orës 13:35, thuajse një gjysmë ore më herët se ç’ishte parashikuar në programin zyrtar të njoftuar më herët.

Për rrjedhojë, edhe itinerari i tij ka ndryshuar, teksa Infantino, i shoqëruar nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka udhëtuar drejt Stadiumit “Arena Kombëtare”, stadium ky i ndërtuar edhe me financimin e FIFA-s dhe të UEFA-s.

Zvicerani 52-vjeçar ka inspektuar nga afër të gjitha mjediset e Stadiumit të ri Kombëtar, duke nisur nga tribunat, tek fusha e blertë dhe mjediset e brendshme, siç janë dhomat e zhveshjeve, sallat e konferencave e të tjera.

Më tej, vizita e tij ka vijuar me një pushim të shkurtër në mjediset e stadiumit, ndërsa në ora 14:00, ai ka bërë udhëtimin e shkurtër nga stadiumi drejt Kryeministrisë, aty ku është pritur në një takim informal nga Kryeministri Edi Rama.

Një takim që ka zgjatur për afro një orë, ndërsa në ora 18:00, Infantino pritet të jetë në përurimin e mjediseve të reja të “Shtëpisë së Futbollit” në kryeqytet, siç njihet ndryshe kompleksi i selisë së re të Federatës Shqiptare të Futbollit.