Gjashtë diplomatë rusë shpallen të padëshiruar në Mal të Zi
Foto: REL
Rajoni dhe Bota

Gjashtë diplomatë rusë shpallen të padëshiruar në Mal të Zi

REL

Ministria e Jashtme e Malit të Zi ka njoftuar se ka shpallur persona non-grata, apo të padëshirueshëm, gjashtë diplomatë rusë të akredituar në Podgoricë.

Në postimin e saj në Twitter thuhet se ata shpallen non-grata “për shkak të veprimtarive që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, si dhe me marrëdhëniet e vlerësimit dhe respektit të ndërsjellë mes dy vendeve”.

Këto dëbime lidhen me aksionin e së enjtes të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Malit të Zi (ANB) dhe Prokurorisë Speciale të Shtetit për hetimin e lidhjeve të dyshuara të disa shtetasve malazezë dhe rusë me shërbimet inteligjente të Federatës Ruse.

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Ranko Krivokapiq, ka deklaruar se po bëhet arrestimi më i madh i spiunëve të dyshuar rusë në Mal të Zi.

Sipas tij, dhjetëra persona janë arrestuar në Podgoricë dhe aksioni po vazhdon ende.

Ai ka thënë se, marrë parasysh madhësinë e shtetit të Malit të Zi, ky është një nga aksionet më të mëdha të arrestimit në vendet e NATO-s.

Sipas informacioneve jozyrtare të Radios Evropa e Lirë, në aksionin e Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe të Prokurorisë Speciale të Shtetit të Malit të Zi, në mesin e të arrestuarve ka edhe shtetas malazezë, përfshirë një zyrtar të administratës shtetërore, si dhe disa shtetas rusë.

Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, e ka mirëpritur veprimin e Prokurorisë Speciale të Shtetit, duke thënë se “bëhet fjalë për një aksion ndërkombëtar”.

Sipas tij, ai po realizohet me partnerët e Malit të Zi dhe ka për qëllim “ruajtjen e interesave kombëtare”.

Më herët, gjatë ditës, është bërë e ditur se bastistjet kanë nisur me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Shtetit, nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit.

Agjencia për Siguri Kombëtare e Malit të Zi ka njoftuar javë më parë, jozyrtarisht, se shërbimet ruse kanë qenë edhe mbrapa një sulmi të fuqishëm kibernetik që ka çaktivizuar infrastrukturën shtetërore të teknologjisë informative në këtë vend.

Sulmi kibernetik ka ndodhur në fund të gushtit, por pasojat e sakta të tij nuk dihen ende.

Ekspertët nga Byroja Federale e Hetimeve të SHBA (FBI) janë angazhuar për t’i ndihmuar Malit të Zi në hetimin e këtij rasti.

Marrëdhëniet diplomatike midis Malit të Zi dhe Rusisë janë përkeqësuar nga viti 2014, kur Podgorica ka mbështetur sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Moskës, për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë.

Mali i Zi u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Moskës edhe për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë, të nisur më 24 shkurt të këtij viti.

Rusia është kundërpërgjigjur duke e shpallur Malin e Zi si “shtet jomiqësor”.

Në gjashtë muajt e fundit, Podgorica zyrtare ka dëbuar edhe gjashtë diplomatë të tjerë rusë për, siç është thënë, aktivitete që bien ndesh me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota