Erdogan ngre padi kundër politikanit gjerman
Rajoni dhe Bota

Erdogan ngre padi kundër politikanit gjerman

DW

Zëvendëskryetari i partisë liberale e zëvendëspresident i Bundestagut, Wolfgang Kubicki e ka quajtur presidentin turk "mi të vogël kanali". Erdogani u kundërpërgjigj me një padi. Politikani gjerman ka reaguar i qetë.

Për shkak të etiketimit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan si "mi i vogël kanali" politikani liberal gjerman duhet të përballet me një proces gjyqësor. Sipas agjencisë gjermane të lajmeve, dpa, zëvendëspresidenti i Bundestagut, Kubicki në një miting zgjedhor e kishte kritikuar ashpër politikën e refugjatëve të Erdoganit dhe në këtë kontekst e kishte quajtur "mi të vogël kanali". Sipas raportimeve avokati nga Kölni, Mustafa Kaplan në emër të Erdoganit ka ngritur padi kundër zëvendëspresidentit të Bundestagut, Kubicki për fyerje dhe poshtërim. Letra e avokatit mban datën 29 shtator dhe për shkak të kompetencave përkatëse ka mbërritur në Prokurorinë e Hildesheimit.

Kaplan shkruan, se përcaktimin si "mi kanali" duhet ta kuptosh si të tillë, që Erdogan është një person që "shikohet si një i shkatërruar nga ana e vlerave, i rrënuar moralisht dhe që të shkakton neveri". Kubicki nuk ka dashur të bëjë kritikë me fakte, por vetëm poshtërim. Kësaj i shtohet që shprehja për Erdoganin "edhe për arsye fetare" nuk pranohet kollaj. Bëhet fjalë për një sulm antiligjor kundër nderit të një personi tjetër."

Përveç kësaj, Kubicki ka akuzuar jo drejtpërdejt, se presidenti turk i përdor refugjatët si mjet presioni ndaj perëndimit. Kjo është e provueshme që nuk është kështu.

Wolfgang Kubicki

Kubicki i qetë

Më parë Kubicki kishte pranuar, se e kishte përcaktuar Erdogan si "mi të vogël kanali". Ai u mbrojt me argumentin se "një mi kanali" është "një krijesë e vogël, e lezetshme në të njëjtën kohë e zgjuar dhe dinake, prandaj shfaqet edhe në historitë e fëmijëve si protagoniste" dhe kujtoi tituj librash, ku miu i kanalit luan rol. Ministria e Jashtme gjermane është distancuar ndërkohë nga deklaratat e politikanit liberal, edhe pse jo drejtpërdrejt. Një zëdhënës i MPJ në Berin është shprehur, se është qëndrim bazë i kësaj ministrie, që komunikimi me përfaqësues të shteteve të tjera të jetë "me respekt". "Në këtë kuptim deklarata fyese në shkëmbimin ndërkombëtar nuk kanë vend në komunikimin tonë." Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Turqisë është shprehur, se Turqia i dënon ashpërsisht fjalët fyese të Kubickit. Ministria e Jashtme turke thirri në Ankara ambasadorin gjerman.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota