Musk nxit reagimin e Zelenskyt pas planit për paqe në Ukrainë
Rajoni dhe Bota

Musk nxit reagimin e Zelenskyt pas planit për paqe në Ukrainë

REL

Miliarderi, Elon Musk ka krijuar një anketë në rrjetin social, Twitter, rreth propozimit të tij për mënyrën si duhet të përfundojë lufta e Rusisë në Ukrainë.

Anketa e tij ka nxitur edhe reagimin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Musk, njeriu më i pasur në botë – pronar i kompanive Tesla dhe SpaceX - ka propozuar zgjedhje të vëzhguara nga Kombet e Bashkuara në katër rajonet ukrainase të aneksuara nga Moska ditë më parë, pas mbajtjes së referendumeve që Perëndimi i konsideron të rreme.

Sipas tij, Rusia mund të largohet më pas nga këto territore, nëse ka vullnet të popullit.

Në planin e tij ai ka paraparë që Gadishulli ukrainas i Krimesë – të cilin e ka aneksuar Rusia më 2014 – të jetë zyrtarisht pjesë e Rusisë “siç ka qenë prej vitit 1783 (deri te gabimi i Khrushchevit)”, duke iu referuar ish-udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, Nikita Khrushchev.

Musk po ashtu ka propozuar që të sigurohen furnizimet me ujë në Krime dhe që Ukraina të mbetet neutrale.

Ai ka pyetur ndjekësit e tij nëse janë për apo kundër planit që ka hartuar.

Zelensky i është kundërpërgjigjur me një anketë tjetër.

“Cilin Elon Musk e pëlqeni më shumë? Atë që mbështet Ukrainën, apo atë që mbështet Rusinë?”

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, i ka thënë Muskut se “nëse dikush tenton të vjedhë gomat e makinës tënde Tesla, ato nuk janë legale për pronarin tjetër. Edhe nëse vetë gomat pretendojnë se janë pajtuar me diçka të tillë”.

Musk e ka vazhduar muhabetin me një tjetër pyetësor.

“Le ta provojmë këtë gjë: Njerëzit që jetojnë në Donbas dhe Krime duhet të vendosin vetë nëse duan të jenë pjesë e Rusisë apo Ukrainës”.

Ai ka thënë se nuk i bëhet vonë nëse propozimi i tij nuk përkrahet nga shumica, duke argumentuar se ai shqetësohet që “miliona njerëz mund të vdesin pa nevojë, për një rezultat që në fund do të jetë i njëjtë”.

“Rusia ka trefish më shumë popullsi sesa Ukraina, prandaj fitorja e Ukrainës ka pak mundësi të ndodhë. Nëse shqetësoheni për popullin e Ukrainës, synojeni paqen”, ka vazhduar ai me bashkëbisedimet në Twitter.

Në fund të muajit shkurt, Ukraina është përballur me probleme në internet, pas nisjes së luftës së Rusisë në këtë shtet.

Musk, atëbotë, është përgjigjur në një kërkesë të Qeverisë ukrainase që pati kërkuar ndihmë.

Musk pati thënë se shërbimet satelitore të kompanisë së tij, SpaceX, do të jenë të qasshme në Ukrainë dhe se kompania e tij do të dërgonte më shumë terminale në këtë shtet.

“Kostoja e SpaceX për shërbimet satelitore të ofruara në Ukrainë shkon në 80 milionë dollarë deri më tani. Mbështetja për Rusinë është zero dollarë. Qartazi, ne jemi pro Ukrainës”, ka thënë ndërkohë Musk në Twitter.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota