Irani në flakë, protesta në tërë vendin, shpërthim në burgun Evin
BKT
Foto: Reuters
Rajoni dhe Bota

Irani në flakë, protesta në tërë vendin, shpërthim në burgun Evin

Përgatiti: Jeton Musliu/RTKlive

Një zjarr ka shpërthyer në burgun famëkeq Evin të Tehranit në Iran. Tashmë pamjet e postuara në internet, shfaqin flakët dhe tymin që dalin nga ajo zonë.

Të shtëna me armë dhe alarme janë raportuar se vijnë nga burgu, vendi kryesor për ndalimin e të burgosurve politikë.

Një zyrtar i cituar nga media shtetërore iraniane tha se "telashet që përfshinin elementë kriminalë" ishin fajtorë për zjarrin.

Zjarri ka shpërthyer në këtë burg, ndërsa Irani vazhdon të tronditet nga trazirat që janë më intensivet që kanë ndodhur përgjatë  dekadave të fundit.

Protesta janë mbajtur edhe të shtunën në shumë qytete në të gjithë vendin, raporton BBC.

Ato shpërthyen për herë të parë muajin e kaluar, nga zemërimi për vdekjen në paraburgim të 22-vjeçares kurdo-iraniane, Mahsa Amini. Zyrtarët thonë se ajo vdiq nga një gjendje e rëndë shëndetësore, por familja e saj thotë se ajo vdiq pasi u rrah nga policia e moralit.

"Rrugët që të çojnë në burgun Evin janë mbyllur. Ka shumë ambulanca këtu dhe dëgjojmë të shtëna armësh" tha një dëshmitar i për Reuters.

Një tjetër dëshmitar tha se familjet e të burgosurve ishin mbledhur para hyrjes kryesore të burgut.

"Unë shoh zjarr dhe tym. Shumë forca speciale. Ambulancat janë gjithashtu këtu," thanë ata.

Burgu mban kryesisht të burgosur politikë dhe është kritikuar prej kohësh nga perëndimi për shkelje të të drejtave të njeriut, ndërsa është futur në listën e zezë nga qeveria amerikane në vitin 2018 për "shkelje të rënda të të drejtave të njeriut".

Protestuesit intensifikuan demonstratat antiqeveritare në rrugët kryesore në disa qytete anembanë Iranit. Të paktën 233 protestues janë vrarë që kur filluan demonstratat më 17 shtator

Trazirat në burgun Evin erdhën pas gati një muaji protestash në të gjithë Iranin duke paraqitur një nga sfidat më serioze për Republikën Islamike që nga revolucioni i vitit 1979.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota