BE mbështet sanksionet ndaj Iranit për shkak të furnizimit me dronë në Rusi
ATSH-DPA
Vendet e Bashkimit Evropian mbështetën sanksionet ndaj Iranit për shkak të furnizimit të Rusisë me dronë të cilët po përdoren në sulmet ndaj Ukrainës, njoftuan sot diplomatët e BE-së.
Pesë individë dhe tre entitete do të sanksionohen, ndërsa një konfirmim përfundimtar do të njoftohet nesër nga vendet anëtare të BE-së, sipas burimeve.
Individët e synuar do të ndalohen të udhëtojnë në bllok dhe do t’u ngrihen asetet.
Ditët e fundit, ushtria ruse ka sulmuar gjithnjë e më shumë me drone të prodhimit iranian të tipit Shahed-136, centralet në Ukrainë, por edhe qytetet. Si Moska ashtu edhe Teherani i kanë mohuar pretendimet për një marrëveshje armësh të lidhura me dronët.
Sipas një raporti të “The New York Times”, Irani kishte dërguar instruktorë në gadishullin e Krimesë në Detin e Zi të aneksuar nga Rusia, për të trajnuar rusët se si të përdornin dronët iranianë.
Sipas informacioneve nga Kievi, mbi 70 persona janë vrarë dhe 240 të tjerë janë plagosur nga sulmet me dronë dhe raketa gjatë javës së kaluar.
Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së së bashku me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba diskutuan të hënën, fillimisht sanksionet ndaj Iranit për shkak të furnizimeve të tij me dronë në Rusi.
Diplomati i lartë i BE-së, Josep Borrell tha se nevojiteshin prova konkrete pasi Irani e kishte mohuar përfshirjen e tij në një marrëveshje armësh me Rusinë.
BE vendosi të hënën e kaluar sanksione ndaj Teheranit për shkak të shtypjes së dhunshme ndaj protestave antiqeveritare.
BE-ja ka vendosur vazhdimisht sanksione ndaj Iranit që kur Kombet e Bashkuara filluan të miratonin rezoluta që i kërkonin vendit të ndalonte pasurimin e uraniumit me qëllim të përhapjes bërthamore në vitin 2006.























