Estonia e Letonia të shqetësuara për raketat që goditën Poloninë
ATSH-AA
Estonia dhe Letonia kanë shprehur shqetësime për raketat e dyshuara ruse që goditën fshatin polak në kufi me Ukrainën.
“Lajmet e fundit nga Polonia janë shqetësuese. Ne jemi duke u konsultuar ngushtë me Poloninë dhe aleatët e tjerë. Estonia është e gatshme të mbrojë çdo pjesë të territorit të NATO-s. Ne jemi në solidaritet të plotë me aleatin tonë të ngushtë Poloninë”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Estonisë.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme i Letonisë, Edgars Rinkevics, e përshkroi incidentin si një përshkallëzim të rrezikshëm nga Kremlini.
“Raketat ruse që godasin territorin e vendit anëtar të NATO-s çojnë në një përshkallëzim shumë të rrezikshëm nga Kremlini. Letonia shpreh solidaritet të plotë me aleatin tonë, Poloninë dhe do të mbështesë çdo veprim që konsiderohet i përshtatshëm nga Polonia”, shkroi në twitter Rinkevics.
Ai shtoi se Rusia do të mbajë përgjegjësi të plotë për të gjitha pasojat.























