Civilët në verilindje të Sirisë të shqetësuar nga shtimi i sulmeve turke
Rajoni dhe Bota

Civilët në verilindje të Sirisë të shqetësuar nga shtimi i sulmeve turke

VOA

Ndërsa Turqia ka intensifikuar sulmet e saj kundër forcave kurde në Sirinë verilindore, që i cilëson si organizatë terroriste, civilët në rajon shprehen të shqetësuar për mundësinë e një operacioni tokësor të ushtrisë turke.

Banorët e zonës po kërkojnë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara dhe qeveria siriane për t’u mbrojtur nga këto kërcënime.

Turqia ka shtuar sulmet ajrore pranë kufirit të saj me Sirinë verilindore, duke shënjestruar disa zona të kontrolluara nga forcat kurde, të cilat mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.

Tensionet u shtuan pas thirrjes këtëj javë të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan që ofensiva e re të përfshijë edhe forcat tokësore.

Rritja e dhunës ka shqetësuar civilët në Qamishli dhe qytetet tjera siriane pranë kufirit turk.

“Nuk kemi të shkojmë edhe po të kemi frikë. Edhe nëse largohemi, burrat dhe djemtë tanë nuk vijnë me ne. Do të qëndrojmë dhe do të presim për aq kohë sa mundemi”, thotë Madina Mohammed, banore e qytetit Qamishli.

Turqia i cilëson Forcat Demokratike të Sirisë, të udhëhequra nga kurdët në rajon, si grup terrorist dhe i fajëson ato për shpërthimin e fundit në Stamboll që vrau të paktën tetë persona.

Forcat Demokratike siriane mohojnë akuzat.

Banorët po i bëjnë thirrje koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër organizatës “Shteti Islamik”, që t’i mbrojë nga sulmet e vazhdueshme turke.

“Amerika duhet të luajë rol më të madh në mbrojtjen e kurdëve. Ne nuk po kërkojmë që të na ndihmojnë në krijimin e një shteti kurd. Po kërkojmë thjesht të na mbrojtja nga kërcënimet turke”, thotë Bave Ahmed, banor i qytetit Qamishli.

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje të dyja palëve që të ulin tensionet.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë gjithashtu se Ankaraja ka çdo të drejtë që të mbrohet nga kërcënimet që vijnë nga Siria.

Disa banorë të Qamishlit po kërkojnë përfshirjen e qeverisë siriane, sepse siç thonë ata sulmet turke po shkelin sovranitetin e vendit.

“Çështja kurde duhet të zgjidhet përmes negociatave me Damaskun. Kjo është mënyra e zgjidhjes së problemit në mënyrë të drejtë dhe paqësore”, thotë zoti Ahmed.

Sipas zyrtarëve kurdë 13 civilë janë vrarë në sulmet e fundit të Turqisë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota