Ndalohet Kaili, nënkryetare e Parlamentit Evropian, dyshohet për korrupsion
BKT
Foto: Euronews
Rajoni dhe Bota

Ndalohet Kaili, nënkryetare e Parlamentit Evropian, dyshohet për korrupsion

Përgatiti: Jeton Musliu/RTKlive

Eurodeputetja socialiste greke Eva Kaili, një nga 14 nënkryetarët e Parlamentit Evropian, u soll për t`u marrë në pyetje në Bruksel të premten në mbrëmje, në lidhje me një hetim mbi korrupsionin, që përfshin atë dhe "një vend të Gjirit", raportuan AFP dhe gazeta belge Le Soir, duke iu referuar Zyrës së Prokurorit të Belgjikës.

Burime të Parlamentit Evropian i thanë Euronews se zyrat e tre eurodeputetëve: Kaili dhe anëtarëve të grupit belg S&D, Maria Arena dhe Marc Tarabella, janë kyçur nga policia e Belgjikës.

Mediumi Le Soir më vonë raportoi se zyrat e kyçura dhe vulosura që përfshinin ato të eurodeputeteve Arena dhe Tarabella, u përkisnin asistentëve të tyre përkatës.

“Vulat u vunë sepse ajo punoi për OJQ-në ‘Luftoni mosndëshkimin’, besoj në vitin 2019”, tha Arena për Le Soir. “Nuk ka lidhje me faktin që ajo është asistentja ime”.

Katër arrestime ishin bërë tashmë në kryeqytetin belg në mëngjes për të njëjtin rast. Mediat në Greqi dhe Belgjikë raportuan se një nga katër të arrestuarit është edhe partneri i Kailit.

Partia Socialiste Greke (PASOK), anëtare e së cilës është Kaili, njoftoi të premten në mbrëmje se ajo e ka  "përjashtuar" atë nga anëtarësia.

Zyra e Prokurorisë Federale të Belgjikës tha se gjeti 600 mijë euro para të gatshme dhe sekuestroi kompjuterë dhe telefona celularë.

Të kontaktuara nga Euronews, shërbimet e shtypit të Parlamentit Evropian thanë se "Parlamenti Europian nuk komenton procedurat gjyqësore".

"Si gjithmonë, Parlamenti Evropian bashkëpunon plotësisht me autoritetet kombëtare përgjegjëse. E njëjta gjë është edhe në këtë rast specifik," shtuan ata.

(Titulli i vendosur nga RTKlive. Marrë me shkurtime nga Euronews)


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota