Moti me ngrica e borë shkakton kaos në trafikun ajror të Britanisë së Madhe
Përgatiti: Jeton Musliu/RTKlive
Të gjitha fluturimet janë pezulluar në aeroportin Stansted të Britanisë së Madhe, pasi pista u mbyll për shkak të motit të keq.
Aeroportet e Heathrow dhe Gatwick gjithashtu anuluan ose i vonuan fluturimet pasi bora, akulli dhe mjegulla, ka përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.
Paralajmërimi i verdhë (që do të thotë mot i keq por jo i jashtëzakonshëm v.j) i motit mbetet në fuqi për Skocinë, Londrën dhe Anglinë jugperëndimore deri të hënën në mëngjes.
Trenat gjithashtu janë vonuar dhe drejtuesit e mjeteve janë paralajmëruar të kenë kujdes pasi ka aksidente në autostrada.
Aeroporti i Stansted deklaroi të dielën në mbrëmje, se pista e tij e vetme ishte e mbyllur për të lejuar pastrimin e borës për shkak të kushteve të motit, prandaj edhe të gjitha fluturimet u pezulluan.
"Pasagjerët këshillohen të kontrollojnë me kompanitë e tyre ajrore për statusin aktual të fluturimeve”, deklaruan zyrtarë të këtij aeroporti.
Vetëm të dielen, më shumë se 50 fluturime u anuluan në aeroportin e Heathrow.
(Marrë me shkurtime nga BBC. Titulli në origjinal: Moti në Mbretërinë e Bashkuar: Të gjitha fluturimet janë pezulluar në aeroportin Stansted)























