Skandali i korrupsionit në BE, kontrolle në zyrat e Parlamentit Evropian
RTSH
Skandali i korrupsionit në BE duket të jetë një nga skandalet më të mëdha në historinë e parlamentit të Europës. Hetuesit belgë kontrolluan zyrat në Parlamentin Evropian në Bruksel pas nisjes së një hetimi për ryshfet nga Katari, mikpritës i Kupës së Botës për 2023.
Deri më tani prokuroria belge ka kryer mbi 20 kontrolle, ndërsa janë arrestuar 4 persona, mes tyre dhe zëvendës presidentja e Parlamentit Evropian Eva Kaili, një eurodeputete greke. Të arrestuarit pranuan dhurata dhe vlera të shumta monetare nga vendi pritës i Kupës së Botës, në mënyrë që të mos mbështesnin akuzat se në Katar po shkeleshin të drejtat e njeriut. Këtë të arrestuarit e kanë bërë duke lobuar me organizata të ndryshme.
Pas arrestimeve presidentja e parlamentit, Roberta Metsola paralajmëroi eurodeputetët se "demokracia është nën sulm".
Katari ka mohuar çdo keqbërje, ndërsa sot pritet që eurodeputetët do të debatojnë në parlament lidhur me skandalin.
Që nga e premtja, burimet e IT-së të 10 punonjësve të parlamentit janë “ngrirë” për të parandaluar zhdukjen e të dhënave të nevojshme për hetimin.
Katër të dyshuarit e arrestuar nga policia belge janë akuzuar për "pjesëmarrje në një organizatë kriminale, pastrim parash dhe korrupsion", thanë prokurorët në një deklaratë të dielën.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se akuzat ishin "shumë serioze" dhe bëri thirrje për krijimin e një organi të ri të etikës për të mbikëqyrur bllokun.























