Shpërthime të forta sot në qendër të Kievit
BKT
Foto: BBC
Rajoni dhe Bota

Shpërthime të forta sot në qendër të Kievit

Përgatiti: Jeton Musliu/RTKlive

Në mëngjesin e hershëm të së mërkurës, janë dëgjuar shpërthime në qendër të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev.

Kështu deklaroi kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, sipas të cilit, shpërthimet tronditën rrethin qendror Shevchenkivskyi.

Në vendin e ngjarjes menjëherë janë dërguar shërbimet e urgjencës.

Kurse Guvernatori i Kievit, Oleksiy Kuleba, deklaroi se -“sistemet e mbrojtjes ajrore janë në funksion”.

Gazetarët e BBC dëgjuan shpërthime të forta pak pasi u lëshu sirena e sulmit ajror.

Rusia ka shënjestruar vazhdimisht infrastrukturën energjetike të Ukrainës, duke nisur që nga muaji tetor.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se forcat ukrainase kishin rrëzuar 13 dronë “Shahed” të prodhuar nga Irani.

Administrata ushtarake e qytetit të Kievit tha se një fragment droni kishte goditur një ndërtesë administrative në qendër të qytetit dhe katër ndërtesa banimi.

Ndërkohë, një zëdhënës i shërbimeve të urgjencës së qytetit tha për mediat ukrainase se nuk ishte raportuar asnjë viktimë.

Guvernatori i Kievit Kuleba tha: "Sistemi i mbrojtjes ajrore po funksionon. Tani është e rëndësishme të qëndrojmë në strehimore dhe vende të sigurta. Rusia po vazhdon terrorin e saj energjetik kundër vendit tonë. Por ne po forcohemi çdo ditë."

Ukraina ka akuzuar Iranin se ka furnizuar Rusinë me drone "kamikaze" të përdorur në sulmet vdekjeprurëse më 17 tetor, akuza të cilat Teherani fillimisht i mohoi.

Por më vonë, Irani pranoi se disa muaj  para luftës, i dërgoi Moskës një numër të kufizuar dronësh.

Në kundërpërgjigje, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se kjo ishte një gënjeshtër dhe se shumë më tepër drone iranianë po përdoreshin.

Muajt e fundit, Rusia ka synuar të dëmtojë rrjetin energjetik të Ukrainës, në një përpjekje për të demoralizuar popullsinë e saj.

Udhëheqësit globalë kanë thënë se sulmet ndaj infrastrukturës civile përbëjnë një krim lufte.

Por javën e kaluar presidenti rus, Vladimir Putin, mbrojti sulmet dhe tha se ato ishin përgjigje ndaj dëmtimit të urës me 8 tetor, e ndërtuar nga Rusia, për që lidh  këtë vend me Krimenë e aneksuar.

Sulmet në Kiev vijnë mes raporteve se SHBA po përgatitet të armatosë Ukrainën me sistemin e saj të fundit të mbrojtjes ajrore- “Patriot”. Zyrtarë të lartë të mbrojtjes i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se njoftimi mund zyrtarizohet të enjten.

 

Sistemi është ndër më të avancuarit në botë dhe zakonisht është në mungesë. Për shkak të aftësisë së tij me rreze të gjatë veprimi, ai potencialisht mund të rrëzojë raketat dhe dronët rusë përpara se të hyjnë brenda rrezes së qyteteve të Ukrainës.

Por ndryshe nga sistemet ekzistuese të mbrojtjes ajrore të Ukrainës, sistemet “Patriot” kërkojnë ekuipazhe të mëdha për t'i operuar ato dhe mund të duhen disa muaj për të trajnuar forcat e Kievit për ta përdorur atë në mënyrë efektive.

(Marrë me shkurtime nga BBC. Titulli në origjinal: Lufta në Ukrainë: Shpërthime në qendër të Kievit, mes paralajmërimeve për sulm ajror)


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota