Rrëshqitje dheu në Malajzi, 21 të vdekur
BKT
Rajoni dhe Bota

Rrëshqitje dheu në Malajzi, 21 të vdekur

Bardhyl Bajrami / RTK

Të paktën 21 persona kanë humbur jetën, në mesin e tyre edhe fëmijë, pasi një rrëshqitje e tokës e ka goditur një kamp pushimi ku familje të tëra po qëndronin. Ngjarja ka ndodhur në shtetin Selangor të Malejzisë.

Familjet e vendosura në këtë kamp ishin në gjumë nëpër tenda në momentin kur ka rrëshqitur toka dhe ka goditur vendqëndrimin e tyre.

Qindra pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit kanë vazhduar gërmimet nëpër baltë në kërkim të ndonjë të mbijetuari eventual .

Sipas një dëshmitari, i cili I ka mbijetuar kësaj ngjarje, ka qenë natë dhe shumë errët për të kuptuar se çfarë po ndodhë.

Udhëheqësi I atij kampi ka thënë se të paktën 30 fëmijë dhe 51 të rritur ishin regjistruar për të kaluar natën në atë kamp fushor.

Mediat lokale kanë raportuar se autoritetet e vendit kanë thënë se 14 persona konsiderohen të zhdukur ndërsa në operacionin e shpëtimit janë angazhuar rreth 700 pjesëtarë. Zjarrfikësit malejzian kanë thënë se në mesin e viktimave janë edhe katër fëmijë.

Sipas një gazete, më shumë se 20 mësimdhënës dhe familjet e tyre po qëndronin në kamp.

Nuk është e qartë se çka e ka shkaktuar rrëshqitjen e tokës. Në raportet meteorologjike thuhet se ka pasur një reshje të lehtë të shiut por jo edhe rrebesh apo ndonjë termet eventual edhe pse në Malejzi për momentin është sezona e monsuneve.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota