SHBA:Paneli i Dhomës së Përfaqësuesve rekomandon ndjekjen penale të Trump
ATSH-DPA
Paneli i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që po shqyrton sulmin ndaj Kapitolit të SHBA-së më 6 janar 2021, ka votuar për të rekomanduar ndjekjen penale ndaj ish-presidentit, Donald Trump dhe bashkëpunëtorëve të tij, nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së.
Paneli votoi unanimisht në favor të rekomandimit gjatë një seance publike dje në Uashington.
Rekomandimi i panelit nuk është detyrues. DD do të vendosë vetë nëse do të ndërmarrë veprime penale kundër politikanit republikan. Nuk dihet se kur do të merret ky vendim.
Megjithatë, një rekomandim i tillë është i paprecedentë. Për këtë paneli akuzon Trump, ndër të tjera, për kryengritje, pengim të një procesi zyrtar të Kongresit dhe komplot për të mashtruar SHBA-në.
Vota e panelit është një sinjal i qartë, mund të ndikojë në procesin e vendimmarrjes së DD dhe të çojë në fajësimin e Trump. Raporti përfundimtar do të prezantohet së shpejti.
Komiteti ka hetuar për gati 18 muajt e fundit mënyrat se si mbështetësit e Trump sulmuan vendin e Kongresit të SHBA-së më 6 janar 2021. Një turmë e nxitur nga Trump hyri dhunshëm në ndërtesë, duke shkaktuar vdekjen e pesë personave.























