Forcat braziliane rimarrin kontrollin e Kongresit në kryeqytetin Brasilia
RTK
Forcat braziliane të sigurisë kanë rimarrë kontrollin e Kongresit në kryeqytetin Brasilia pasi u sulmua nga protestuesit e ekstremit të djathtë, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për nxitësit e trazirave.
Gjykata e Lartë e Brazilit të dielën vonë e ka pezulluar guvernatorin e Brasilias nga detyra për 90 ditë për shkak të defekteve të sigurisë në kryeqytet, pasi mijëra mbështetës të ish-presidentit të ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro plaçkitën ndërtesat qeveritare.
Gjykata urdhëroi gjithashtu platformat e rrjeteve sociale Facebook, Twitter dhe TikTok të bllokojnë propagandën nxitëse të grushshtetit. Autoritetet braziliane kanë filluar të hetojnë sulmin më të rëndë ndaj institucioneve të vendit që nga rivendosja e demokracisë katër dekada më parë, me presidentin Luiz Inacio Lula da Silva që u zotua të nxjerrë përgjegjësit e trazirave para drejtësisë. Dhjetëra mijëra demonstrues antidemokratikë të dielën pushtuan Gjykatën e Lartë, Kongresin dhe pallatin presidencial.
Ata thyen xhamat, përmbysën invantarin, shkatërruan vepra arti dhe vodhën Kushtetutën origjinale të vendit të vitit 1988. Armët u sekuestruan edhe nga një zyrë e sigurisë presidenciale. Presidenti i majtë Lula, i cili mori detyrën më 1 janar, tha se forcat policore të militarizuara lokale që i raportojnë guvernatorit të Brasilia, Ibaneis Rocha, një ish-aleat i Bolsonaros, nuk bënë asgjë për të ndaluar përparimin e protestuesve. Lula dekretoi ndërhyrjen federale të sigurisë publike në kryeqytet dhe premtoi ndëshkim shembullor për drejtuesit e sulmit "fashist" që synonte të provokonte një grusht shteti ushtarak që mund të rivendoste Bolsonaron në pushtet.
"Të gjithë njerëzit që e bënë këtë do të gjenden dhe do të ndëshkohen," u tha Lula gazetarëve nga shteti Sao Paulo. Sulmi ngriti pikëpyetje mes aleatëve të Lulës se si forcat e sigurisë publike në kryeqytet ishin kaq të papërgatitura dhe mposhtën lehtësisht nga rebelët që kishin shpallur planet e tyre disa ditë përpara në rrjetet sociale.
Lula fajësoi Bolsonaron për ndezjen e mbështetësve të tij pas një fushate me akuza të pabaza për mashtrime zgjedhore pas përfundimit të sundimit të tij të shënuar nga populizmi nacionalist përçarës.
Nga Florida, ku fluturoi 48 orë para përfundimit të mandatit të tij, Bolsonaro hodhi poshtë akuzën duke postuar në Twitter se demonstratat paqësore ishin demokratike, por pushtimi i ndërtesave qeveritare "kaloi kufirin".























