Rriten shqetësimet për gjendjen shëndetësore të Navalnyt
REL
Gjermania u është bashkuar thirrjeve që lideri opozitar rus, Alexei Navalny të marrë trajtim të duhur shëndetësor, pas shqetësimeve në rritje për shëndetin e tij.
Ky reagim vjen pasi rreth 500 mjekë rusë kanë nënshkruar një letër të hapur për presidentin rus, Vladimir Putin, duke u kërkuar autoriteteve të burgut që të ndalin “abuzimin” ndaj Navalnyt.
Avokati i Navalnyt ka thënë se ai është vizituar së fundi nga një mjek, mirëpo nuk i janë siguruar ilaçet që i duhen. Navalny ka thënë se po i mohohet qasja në ilaçet bazike.
Berlini ka bërë thirrje po ashtu edhe për lirimin e Navalnyt, duke thënë se burgosja e tij është bazuar “në një vendim të motivuar politikisht”.
Ai është në burg që dy vjet, dhe shpeshherë vendoset në qeli.
Burgu në Pokrov të Rusisë, ku ndodhet udhëheqësi i opozitës ruse, Aleksei Navalny.
Navalny është arrestuar në janar të vitit 2021, pak pas kthimit në Rusi nga Gjermania, ku është trajtuar për sulmin që i ka ndodhur me agjent nervor në Siberi.
Të enjten, zëdhënësi i Këshillit amerikan për Siguri Kombëtare, John Kirby, ka thënë se Shtetet e Bashkuara ndajnë shqetësimet e mjekëve rusë për gjendjen e Navalnyt, dhe kanë kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm.
Ai është dënuar fillimisht me dy vjet e gjysmë burgim për shkelje të rregullave të një dënimi me kusht, dhe më pas i janë shtuar edhe nëntë vjet më shumë, me arsyetimin e mashtrimeve.
Vetë Navalny i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat.























