Marin: BE-ja duhet të ishte shumë më e ashpër me Rusinë pas vitit 2014
atsh
Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, aspirante për anëtarësim në NATO, deklaroi se shpreson që Perëndimi të ketë nxjerrë mësimet e veta se si të merret me Rusinë.
“Nëse Ukraina do të kishte qenë anëtare e NATO-s, tani nuk do të kishte luftë në vend”, tha dje Marin në Forumin Ekonomik Botëror, në Davos.
Ajo tha se kjo ishte edhe arsyeja pse Finlanda dhe Suedia kishin aplikuar për anëtarësim në aleancën e mbrojtjes.
“Ne duam të bëhemi një anëtar i NATO-s sepse nuk duam më kurrë luftë në Finlandë. Ne kemi qenë në luftë me Rusinë më parë”, i tha Marin gazetarit Fareed Zakaria.
“Është gjithashtu e dobishme të kthehemi në vitin 2014, kur Rusia sulmoi dhe pushtoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës”, tha Marin.
“Nëse Bashkimi Evropian do të kishte marrë një qasje “më të fortë”, duke përfshirë sanksione shumë më të ashpra, atëherë rezultatet e historisë do të kishin qenë ndryshe”, tha ajo.
Pas dekadash neutraliteti, Finlanda dhe Suedia aplikuan për t’u bashkuar me aleancën perëndimore në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt.
Megjithatë, ratifikimi kërkon miratim unanim dhe Turqia dhe Hungaria ende nuk e kanë mbështetur pranimin e tyre.























