KE i FFK-së: Me miratimin e Statutit të ri janë plotësuar të gjitha kritere
BKT
Sport

KE i FFK-së: Me miratimin e Statutit të ri janë plotësuar të gjitha kritere

B. H. / RTKlive

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së në mbledhjen e sotme ka konstatuar se me miratimin e Statutit të ri në Kuvendin e Jashtëzakonshëm, më 27 janar, i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe kushtet për licencim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“KE analizoi dhe shqyrtoi ecurinë dhe zhvillimin e punimeve të Kuvendit të jashtëzakonshëm të FFK-së, duke konstatuar se pati një frymë konstruktive dhe debate frytdhënëse në trajtimin e Statutit të ri të FFK-së, cili u miratua me shumicë votash dhe i cili i plotëson kriteret dhe kushtet sipas specifikave të Kosovës . KE falënderon secilin delegat për pjesëmarrje, angazhim konstruktiv në të mirë të futbollit të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e FFK-së pas kësaj mbledhje.

Në këtë mbledhje, KE miratoi orarin e garave të stinorit pranveror të edicionit 2022/2023, i cili fillon me ndeshjet e Kupës së Kosovës, më 4 shkurt dhe do të përfundojë më 28 maj 2023.

Ky organ e ka shqyrtuar edhe Raportin e Këshillit Emergjent pas vërshimeve në shumë komuna të vendit, e ku dëme pësuan edhe stadiumet e fushat e futbollit të shumë klubeve. KE mori vendim që brenda mundësive në bashkëveprim me Kuvendet komunale t’u ndihmohet klubeve për përmirësimin e gjendjes në këto stadiume.

FFK krahas shumë federatave tjera sportive është në proces të licencimit, por zhagitja e tij ka ndikuar që të shfaqen shumë pakënaqësi, ngase si pasojë klubet rrezikojnë të humbasin thithjen e mjeteve financiare që ua ofron Ligji i Sponsorizimit.