Arrin në mbi 11 mijë numri i të vdekurve nga tërmetet në Turqi dhe Siri
RTSH&REL&VOA
(E plotësuar, ora: 12:25) Ekipet e shpëtimit në Turqi dhe Siri po luftojnë më kohën dhe të ftohtin të mërkurën për të gjetur të mbijetuar të mbetur nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti i fuqishëm, që goditi rajonin të hënën, dhe la pas vetes mbi 11 mijë të vdekur.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i cili qëndroi në zonë të mërkurën tha se të paktën 8 mijë e 500 veta humbën jetën.
Në Siri, sipas të dhënave nga qeveria e Damaskut dhe grupet e shpëtimit, të paktën 2 mijë e 470 veta humbën jetën.
Presidenti turk shpalli shtatë ditë zie kombëtare dhe një gjendje të jashtëzakonshme tre muajshe në 10 provinca të prekura drejtpërdrejt nga tërmeti.
Në përpjekjet e shpëtimit në Turqi janë përfshirë 96 mijë veta, tha të mërkurën agjencia e menaxhimit të emergjencave të vendit.
Tërmeti i së hënës është ngjarja sizmike më vdekjeprurëse në botë që nga një tërmet që u përcoll nga një cunami në vitin 2011 në Japoni që la pas vetes rreth 20 mijë të vdekur.
Epiqendra e tërmetit të para agimit të së hënës ishte në Pazarcik, pranë qytetit të Gaziantepit, afër kufirit Turqi-Siri.
Ekipet e kërkimit dhe ndihmat emergjente po arrijnë nga e gjithë bota në Turqi dhe Siri ndërsa punonjësit e shpëtimit po gërmojnë nëpër rrënoja në një kërkim të dëshpëruar për të mbijetuar. Disa zëra që kishin thirrur për ndihmë, ranë në heshtje.
"Ne mund t'i dëgjonim zërat e tyre, ata po bënin thirrje për ndihmë", tha Ali Silo, dy të afërm të të cilit nuk u shpëtuan dot në qytetin turk, Nurdagi.
Më shumë se 8 mijë veta janë nxjerrë nga rrënojat vetëm në Turqi, tha zëvendëspresidenti Fuat Oktay dhe rreth 380 mijë ndodhen nëpër strehimore apo hotele qeveritare. Ata u grumbulluan në qendra tregtare, stadiume, xhami dhe qendra komunitare, ndërsa të tjerët e kaluan natën jashtë të mbështjellë me batanije duke u mbledhur rreth zjarreve.
(E plotësuar, ora: 9:45) Arrin në mbi 9.500 numri i të vdekurve nga tërmetet në Turqi dhe Siri
Në Turqi dhe Siri, si pasojë e tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit, janë vrarë mbi 9.500 persona.
Zyrtarët thanë më 8 shkurt se 6.957 persona janë konfirmuar se janë vrarë në Turqi dhe 2.547 në Siri. Numri i viktimave pritet të rritet, teksa ekipet e shpëtimit kanë vazhduar të kërkojnë për të mbijetuar të tërmeteve të fuqishme.
Tërmeti i parë i 6 shkurtit ishte 7.8 ballësh me epiqendër rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan. Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit.
(E plotësuar) 6 234 viktima në Turqi dhe 2 470 në Siri pas tërmetit të 6 shkurtit
Sipas raporteve zyrtare të publikuara sot, numri i përkohshëm i viktimave të tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën tani tejkalon 8 700 persona.
Në Turqi, 6 234 trupa janë nxjerrë nga rrënojat sipas AFAD-it, një organizatë turke ndihmash, dhe 2 470 të vdekur janë në Siri, sipas autoriteteve dhe mjekëve.
Zëvendëspresidenti turk, Fuat Oktay, nga ana e tij, njoftoi se 380 500 persona të prekur u strehuan në konviktet e Ministrisë së Arsimit dhe të Ministrisë së Rinisë dhe Sporteve.
Oktay tha se një personel prej 3 294 personash të kërkim-shpëtimit arritën në Turqi nga Azerbajxhani dhe Rusia.
”Ne po dërgojmë në Hatay mbi 1 600 ekipe shtesë të kërkim-shpëtimit, si nga jashtë ashtu edhe nga vendi”, tha ai.
Drejtori i përgjithshëm i tërmeteve dhe reduktimit të rrezikut në AFAD, Orhan Tatar, tha se rreth 5 775 ndërtesa u shembën nga tërmetet.
Ai po ashtu theksoi se zona e ndikimit të tërmeteve mbulon afër 110 000 kilometra katrorë.
Ndërkaq, ministri i Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike, Murat Kurum, tha se rreth 13,5 milionë qytetarë janë të prekur drejtpërdrejt nga tërmeti.























