SHBA: Balona kineze ishte pjesë e një programi të madh spiunazhi ajror
RTSH
Balona kineze, që përshkoi Shtetet e Bashkuara, ishte e pajisur për të mbledhur sinjale të inteligjencës dhe ishte pjesë e një programi të madh spiunazhi ajror e lidhur me ushtrinë, që synonte më shumë se 40 vende.
Kjo u bë e ditur sot nga administrata Biden, e cila dhe detaje për qëllimin dhe aftësitë e balonës së madhe, e cila tërhoqi vëmendjen e të gjithë vendit, përpara se SHBA ta rrëzonte atë.
Një flotë balonash operon nën drejtimin e Ushtrisë Çlirimtare Popullore dhe përdoret posaçërisht për spiunazh. Ato kanë në përbërje pajisje të teknologjisë së lartë, të cilat janë krijuara për të mbledhur informacione të ndjeshme nga objektivat në të gjithë globin. Balona të ngjashme kanë lundruar në pesë kontinente, sipas administratës.
Deklarata e një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit ofroi detaje më të shumta, që lidhin ushtrinë kineze me balonën që u rrëzua nga SHBA fundjavën e kaluar mbi Oqeanin Atlantik.
Detajet e publikuara kanë për qëllim që të hedhin poshtë mohimet e vazhdueshme të Kinës se balona nuk është përdorur për spiunim, duke përfshirë madje edhe një pretendim se akuzat e SHBA për balonën përbëjnë "luftë informacioni" kundër Pekinit.
Në Pekin, përpara se SHBA-ja të ofronte informacione të reja, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning, përsëriti këmbënguljen e vendit të saj se balona e madhe pa pilot ishte një mjet meteorologjik civil, që kishte dalë nga kursi dhe se SHBA kishte "reaguar në mënyrë të tepruar" duke e rrëzuar atë.
"Kjo ishte e papërgjegjshme," tha Mao. Akuzat e fundit, tha ajo, “mund të jenë pjesë e luftës së informacionit të palës amerikane kundër Kinës”.
Ministri i Mbrojtjes i Kinës refuzoi të merrte një telefonatë nga Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, për të diskutuar çështjen e balonave. Kina nuk i është përgjigjur pyetjeve se cilit departament apo kompani qeveritare i përkiste balona, ose si planifikoi ajo të ndiqte një hetim për të ndërmarrë veprime të mëtejshme mbi këtë çështje.
SHBA ofruan pamje krejt tjetër lidhur me balonën dhe qëllimet e saj. SHBA tha se imazhet e balonës të mbledhura nga aeroplanët spiun amerikan U-2, ndërsa kalonte vendin, treguan se ajo ishte "e aftë të kryente mbledhjen e informacioneve të inteligjencës nëpërmjet sinjaleve".
Ajo kishte antena të shumta dhe pajisje të tjera të dizejnuara për të mbledhur informacione të ndjeshme dhe panele diellore për t'i fuqizuar ato.
Jedidiah Royal, ndihmës sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së për Indo-Paqësorin, i tha një nënkomisioni për ndarjet buxhetore të Senatit se ushtria ka "disa dyshime të besueshme" se Kina po kërkonte të mblidhte informacione spiunazhi.
Zyrtari tha se një analizë e mbeturinave të balonës ishte "në kundërshtim" me shpjegimet që ka dhënë Kina se ajo ishte një balonë moti, e cila doli jashtë kursit.
Shtetet e Bashkuara po komunikojnë edhe me vendet e shënjestruara, tha zyrtari, për të diskutuar rreth fushëveprimit të programit kinez të mbikëqyrjes.
Zyrtari tha se SHBA ka besim se prodhuesi i balonës së rrëzuar ka "një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me ushtrinë kineze dhe është një shitës i miratuar nga ushtria".
Zyrtari citoi informacionin nga një portal zyrtar prokurimi i PLA, si dëshmi për lidhjen midis kompanisë dhe ushtrisë.
Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA pritej të miratonte një rezolutë duke fajësuar Kinën për një “shkelje të pacipë të sovranitetit të Shteteve të Bashkuara” dhe duke e akuzuar atë për përpjekje për të “mashtruar komunitetin ndërkombëtar përmes pretendimeve të rreme për fushatat e saj të mbledhjes së inteligjencës”.
Rezoluta pritej të merrte mbështetje si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët, duke reflektuar zemërimin në rritje dypartiak në Uashington ndaj asaj që ligjvënësit e shohin si agresion kinez.
Kjo nuk është hera e parë që qeveria amerikane ka bërë thirrje publike për aktivitetet e supozuara të Ushtrisë Çlirimtare Popullore.
Në një ndjekje penale të parë të këtij lloji në vitin 2014, Departamenti i Drejtësisë i administratës Obama paditi pesë hakerë të akuzuar të PLA për depërtim në rrjetet kompjuterike të korporatave të mëdha amerikane në një përpjekje për të vjedhur sekretet tregtare.
Hakerët e dyshuar me PLA u akuzuan gjithashtu edhe në vitin 2020 për vjedhjen e të dhënave personale të dhjetëra miliona amerikanëve në një shkelje të ligjit për agjencinë e raportimit të kredive Equifax. Apnews























