Potter do të ishte kundër Superligës edhe nëse Chelsea do të hynte në të
B. H. / RTKlive
Trajneri i Chelseat, Graham Potter, ka deklaruar se pozicioni i tij për planet e Superligës Evropiane (ESL) nuk do të ndryshojë edhe nëse klubi i tij i bashkohet tashmë garës së paralajmëruar paralele.
Dje, A22 Sports Management, kompania e krijuar për të sponsorizuar këtë kompeticion, njoftoi planet e rishikuara që do të përfshinin 60 deri 80 klube nga Evropa, që është një ndryshim i madh nga plani origjinal i 12 klubeve elitare evropiane në fillim të idesë së krijimit të Superligës. Potter, i cili ishte kundër idesë në prill të vitit 2021 kur ishte trajner i Brightonit, ka thënë se ende mendon të njëjtën gjë.
“Pozicioni im nuk ka ndryshuar, qoftë në Premier League, qoftë në Champions, gjërat duhet të fitohen në bazë të suksesit tuaj. Është i njëjti qëndrim si më parë. Është e vështirë t'i përgjigjem një pyetjeje hipotetike, por nëse Chelsea vendos për atë ligë, unë do të isha kundër. Ky është pozicioni im”, ka thënë Potter.























